ELBASAN/ Kryeministri Rama: “Luli, një kukull për t’i dhënë buzëqeshje”

Kronikë | 6 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, ka folur nga Elbasani, në lidhje me konfliktin fizik mes biznesmenit Gjergj Luca dhe kandidatit të PD, Luçiano Boçi. Zoti Rama e ka cilësuar Boçin si grushtues, ndërsa Lucën si krijues të madh.

“Nuk ka ndryshuar natyra vulgare e politikës së vjetër që mëshirohet sot në koalicionin e ri. E pamë në Elbasan, dhe ju ftoj ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, i një punëkrijuesi, si Gjergj Luca, të kishte qenë cilido prej nesh, prej djemve burrave. Sikur grushtuesi, grabitësi i telefonit të tij, dhunuesi i tij të ishte Taulant, Florenci, cilido qoftë, çfarë do kishin bërë. Sa e-mail, telefonata do kishin derdhur në Europë, do na kishin vënë kujën. Por ne e kemi të qartë që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Ata e kanë të qartë se nuk kanë mundësi të kenë një shans tjetër”, deklaroi Rama.

Rama nga Elbasani, në takimin me kandidatët për deputetë, ka sulmuar Bashën, duke e cilësuar atë si “Borati”. 

“Ne po bëjmë detyrën tonë për të respektuar rregullat, duke respektuar njerëzit, duke respektuar të drejtën themelore të secilit për jetën dhe për shëndetin. Të tjerët po shfaqin një nga tiparet e tyre më të këqija. Kjo që po shfaqin është një tipar i politikës së rrugës “dembabadem”, me gjoja grumbullime spontane tek vetura e Boratit, i cili del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharak me dy gishta e flamuj, pa marrë aspak parasysh që kështu rrezikohet shëndeti i tyre e i familjarëve të tyre. Lufta me armikun e padukshëm është sfida e sfidave. Zmbrapsja e virusit është sfida e sfidave. Nuk mund të vaksinojmë intensivisht nga njëra anë dhe të tallemi nga ana tjetër. Është abuzive. Këtë nuk mund ta bëjë një forcë politike që ofrohet si alternativë qeverisëse. Ky skuthllëk është tipar i karakterit të tyre politik dembabadem. Në do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit me komunikimet tona, por asnjëherë nuk do të biem pre e turmave”, tha Rama.

Sipas tij, opozita nuk ka asnjë alternativë konkrete, pasi do të rikthejë në krye të qeverisë njerëz që janë provuar dhe që, sipas tij, kanë dështuar. “Ato po synojnë të kthejnë vendin prapa duke kërcënuar për destabilizim”, deklaroi Rama.

“Dhëndri i tyre (Basha) është po ai që kandidoi për bashkinë e Tiranës dhe deklaronte se kur të zgjidhej do të ulte çmimin e bukës. Nuk kanë reflektuar asgjë dhe se po përsërisin të njëjtat gjëra. Nuk i kanë dhënë vetes kohës as të studiojnë e mësojmë e të fusin ndonjë gjë të re në kokë, sepse kanë qenë rrugës gjithë kohës, duke shkatërruar dhe djegur mandatet gjatë gjithë kohës, duke gjuajtur me molotov nga të katër anët, duke kërcënuar me destabilizm dhe hedhur në erë kutitë e qendrat e votimit. Të gjithë këta të koalicionit janë pengmarrësit të çdo mundësie për të zhvilluar një qeverisje normale, sepse do të kërkojnë copën dhe karrigen në qeveri. Agron Duka ka firmosur për të qenë ministër i Bujqësisë përsëri. Kthehet Agron Duka pas 20 vjetësh në kryer të një sektori që tani ka filluar të dalë nga kriza shumëvjeçare… Duhet ta çojmë më tutje dhe mbrapa te “veza pulën apo pula vezën” te Pulari e Agron Dukës. Famtir Mediu kërkon të kthehet në qeveri, me atë votën e tij, o karrigen ose s’ka. Dash Shehi, Shpëtim Idrizi me Vangjel Dule, të dy bashkë duan të kthehen në qeveri. Edhe Nard Ndoka, që në fund të fundit bën takime dhe na bën të qeshim pafund. Dhe në fund qeveria e Monikës dhe Ilir Metës”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Basha i premton demokratëve për një qeveri të PD-së, por në fund atë do ta ndajë me aleatët

“Sot janë grumbulluar të gjithë bashkë, me një koalicioni parazgjedhor, me një kontratë kapje prej fyti njëri-tjetrin, medemek hyjnë të veçantë në zgjedhje. Një kontratë që pjesa e fshehtë thotë se çfarë do të marrë Monika Kryemadhi bashkë me çetën e harbuar. Në një kohë që PD i thotë të votoni për PD, për çfarë? Për të marrë Monika Kryemadhi, për të marrë më pas dhe rreshtuar Gon Dukën, Dash Shehin, Famtir Meidun. Çfarë do t’u tregojnë shqiptarëve në një kohë që i kanë provuar”, theksoi Rama.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme