Peleshi prezanton Xhaçkën si kandidate për deputete në Kolonjë

Ministër i Mbrojtjes Niko Peleshi prezantoi si kandidate në bashkinë e Kolonjës Ministren për Europën e Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Duke vlerësuar përvojën politike, por edhe cilësitë e saj që është renditur e pesta në listën e kandidatëve, zoti Peleshi tha se Partia Socialiste synon të marrë një rezultat surprizues në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 prillit me 7 mandate të fituara.
“Ky është objektivi i shpallur nga drejtuesi politik i qarkut, njëherësh “Lista e këtij viti ka prurje të reja që personifikojnë filozofinë e hapjes që na ka shoqëruar në të gjitha këto vite të demokracisë, me emra jo të njohur për të gjithë Shqipërinë, por në lokalitete ku jetojnë e punojnë. Duam të japim mesazhin e mikpritjes për të gjitha kontributet e listave tona. Nuk i fillojmë listat këtë herë me emra të njohur, sepse nuk duhet të tregojmë se kemi një tavan ku në rast se do të rritesh përplasesh. Jo ne nuk e kemi këtë. E kemi rrugën e hapur për të gjithë ata që punojnë me ndershmëri, arrijnë sukses në fushën e tyre dhe më pas i ftojmë të bëjnë karrierë në Partinë Socialiste, në Parlament apo në të gjitha hapësirat që kemi. Ndaj edhe Olta dhe unë jemi respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë të listës që është objektivi minimal bazik aq sa kemi sot. Ne synojmë drejt mandatit të shtatë. Unë çdo ditë e më shumë bëhem optimist që nuk është edhe aq maksimalist si objektiv, sepse kudo që shkojmë kemi një atmosferë shumë pozitive për ne”, u shpreh ministri Peleshi, gjatë takimit me strukturat në Kolonjë.
Nga ana e saj, ministrja Olta Xhaçka, duke vlerësuar prezantimin e drejtuesit politik të qarkut, por edhe mikpritjen në zonën ku ajo rikthehet për të kandiduar deklaroi: “Ndihem vërtetë e përulur përballë fjalëve të mira që tha Niko, por edhe përballë jush për mikritjen për të bërë të pamundurën, si tani në fushatë, por edhe pas fitores, e cila do të kalojë pritshmëritë”
Drejtuesi politik i qarkut Niko Peleshi garantoi se investimet e nisura nga qeveria në këtë zonë siç është edhe loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë do të vijojë, duke përgjysmuar kohën për ta lidhur këtë zonë me jugun e vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



