Kryemadhi denoncon landfillin e Tiranës: “Afera më e madhe korruptive e 100 viteve”

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, denoncoi të mërkurën sipas saj aferën me inceneratorin e qarkut të Tiranës, duke e cilësuar “aferën më të madhe korruptive të 100 viteve”. “Jam sot këtu, me personin tim fizik, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë” tha zonja Kryemadhi.
Sipas saj kjo “është një skemë e pastër grabitje të taksave, parave të shqiptarëve dhe është një skemë e pastër e një strukture kriminale…”.
Kryetarja e LSI tha se do të firmosë padinë drejtuar SPAK kundër ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjël Agaçi, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alçi Bllako. “Ne duam që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve, ne nuk duam që Shqipëria të jetë shtëpia e rrjepaxhinjve të cilët grabisin dhe rrjepin shqiptarët dhe po i largojnë nga Shqipëria” tha zonja Kryemadhi.
Ajo shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur, nga momenti kur “Integrated Energy” shpreh letër interesi për ndërtimin e një landfilli, te fakti që Ministria e Mjedisit i kthen përgjigje për 4 ditë dhe deri te ngritja e komisionit të përbashkët me Bashkinë e Tiranës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




