Basha akuzon Ramën: Dështoi me menaxhimin e pandemisë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzoi sot qeverinë se po fsheh shifrat reale të viktimave nga Covid në Shqipëri. Në një takim me mjekë e ekspertë të shëndetësisë, Basha tha se kryeministri është përgjegjës për këtë situatë të krijuar nga pandemia.
“Për vete e bëri vaksinën me pretekstin se po provonte ky i pari, sot do të kishim një mjek më shumë të vaksinuar me vaksinën e pamerituar që bëri Edi Rama. Ai është i vetmi që nuk po bën detyrën e tij, ishte i pari që bëri vaksinën. Dhjetëra mjekë e mijëra qytetarë e kanë paguar me jetën e tyre”, deklaroi Basha.
Ai tha se po e përdor policinë si shkop gome për të trembur njerëzit dhe nuk merret me situatën e pandemisë që ka shpërthyer.
“Rritja e numrit të të infektuarve dhe gjena e përgjithshme e shoqërisë, gjendja ekonomike, personelit shëndetësor, ka arritur në një pikë që konsideroj si më të keqen që nga fillimi i pandemisë. Numri real i të infektuarve është shumë më i lartë. Paralajmërimi që erdhi nga profesionistët dhe unë i dhashë zë në emisionin Opinion para disa muajsh është vërtetuar se ishte i vërtetë edhe përmes statistikave të kësaj qeverie, që tregon se numri i vdekjeve ishte i madh vitin e kaluar. Shumëfish më të lartë se shifrat e raportuara nga qeveria dhe institucionet qeveritare”, tha Basha.
Gjithashtu ai theksoi se “numri i testimeve mbetet i ulët. Nuk ka asnjë irno sa testime po kryhen nga ISHP dhe sa nga privati. Vetëm Shqipëria nuk ka informacion nëse qarkullon mutacioni britanik apo jo”.
“I vetmi prioritet absolut që ka mbizotëruar me sukses të plotë është vlera e propagandës. Nuk ka vend tjetër në Ballkan që të ketë cirkun shëtitës të kryeministrit që shikon si ngulet gjilpëra e vaksinës, a thua se kjo është puna e tij. Ku në fakt puna e kryeministrit është të sigurojë të gjitha mjetet financiare. Kemi prej marsit që ia kërkojmë ditë për ditë. Të parët që kanë folur janë profesionistë jo ne. Ne i kemi dhënë zë shqetësimeve të tyre të drejta. Fshehja e fakteve është bërë me qëllim, për të fshehur dështimin”, tha Basha.
“Siç e keni vënë re është kthyer në një nga truket e preferuara që provokimi i tensioneve dhe përplasjeve mes mjekëve dhe qytetarëve, që janë në krye të punës. Heroizmi i mjekëve shqiptarë është i pa krahasueshëm, e ka sjellë numrin e vdekjeve të mjekëve në nivel rekord dhe për numrin e vdekjeve të viktimave të qytetarëve na rendit të tretët në botë, sipas statistikave zyrtare të INSTAT. Dhe pastaj përpiqesh t’ia hedhësh fajin mjekëve kjo është dyfish e poshtër, kriminale dhe cinike”, tha Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




