Kryemadhi takohet me gra të Patosit: Qëllimi i LSI-së, rikthimi i rinisë sonë në Shqipëri

Politikë | 6 vite më parë

Kryetarja e Partisë Levizja Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi bashkëbisedoi sot me disa gra të Patosit. Kryemadhi   akuzoi Kryeministrin Rama se po shpopullon Shqipërinë duke ndikuar në largimin e shumë të rinjve. Kjo veprimtari antishqiptare sipas Kryemadhit përbën vepër penale. “Më bënte përshtypje dhe dëgjoja kryeministrin dje sesi thoshte le të ikin të rinjtë në Gjermani se do të paguhen atje më mirë. Kjo për mua është vepër penale, se të detyrosh të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi i tyre, nga shtëpia e tyre, është jo vetëm një veprim antishqiptar, por është një veprim që duhet dënuar. Shpopullimi është një veprim antishqiptar. Se të largosh shqiptarët nga Shqipëria do të thotë të bësh një veprim antishqiptar dhe quhet një veprimtari e tillë.”tha Kryemadhi.
Teksa filste për programin politik, ajo theksoi se qëllimi kryesor i LSI-së është ripopullimi i Shqipërisë. “Ne në programin tonë pikë kryesore kemi arsimimin dhe një arsimim cilësor, që fëmijët e shqiptarëve të jenë konkurrentë në tregun e punës. I gjithë qarku i Fierit sot, pjesa më e madhe, siç është Patosi, Roskoveci, edhe Kuçova e Mallakastra, pjesën kryesore kanë naftën. Lushnja e Divjaka kanë bujqësinë. Pjesa e bregdetit të Semanit është në zhvillim turistik, apo edhe blegtoria një pjesë tjetër. Por për sa i përket sektorit të naftës, janë më shumë se 4-5 qytete të cilat jetojnë me këtë sektor. Por sot fëmijët e të gjithë banorëve nuk i çojnë më për inxhinier nafte. Ose edhe kur janë inxhinierë nafte, ose janë të papunë, ose kanë ikur punojnë në Arabi Saudite për kompani të tjera. Kur ndërkohë këtu kompanitë që vijnë dhe punojnë e shfrytëzojnë puset e naftës në Shqipëri nga vendet e tjera i paguajnë me paga jashtëzakonisht të larta. Vijnë kompani kineze ku vijnë inxhinierët dhe punëtorët nga Kina, kur ndërkohë inxhinierët dhe punëtorët e naftëtarët tanë rrinë pa punë, apo i lënë me muaj e vite të tëra pa paguar. Për të mos vazhduar pastaj që çështja e naftës në qarkun e Fierit është një aspekt i cili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mirëqenien e qytetarëve. Qëllimi ynë kryesor është të ripopullojmë Shqipërinë, të rikthejmë fëmijët e shqiptarëve këtu, të rikthejmë rininë tonë.”

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme