Vaksinimi i personaliteteve, Meta e Rama shkëmbejnë replika

Politikë | 6 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka replikuar në distancë me presidentin Ilir Meta, pasi ky i fundit e kishte konsideruar si një “Tipar diktatori” deklaratën e kryeministrit se vaksinimi do të kryhej ndaj disa të moshuarve që janë personalitete. “Po ç’janë këta dembelë aktivë, siç i quan Konica, që kanë vënë kujën për genocid e diktaturë pse do vaksinohen disa personalitete mbi 80 vjeç, në kuadrin e vaksinimit të 80 vjeçarëve! Po mirë Tinka Kurti dhe Reshat Arbana fjala vjen, duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur?” pyet zoti Rama në rrjetin social Twetter.
Gjatë konferencës për shtyp të premten zoti Meta ishte shprehur se “Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës, të vendosura ndërkombëtarisht, janë ato që duhet të vendosin përparësitë në vaksinimin e popullatës”. “Kriteret e ndarjes dhe përzgjedhjes selektive, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët” ishte shprehur ai. Ndërsa kishte bërë thirrje për rishikimin e bixhetit, kreu i shtetit, i cili tashmë është në një përplasje të hapur me kryeminnistrin kishte deklaruar se “Nuk mund të lihen më qendrat spitalore dhe shërbimet pa pajisje, si respiratorë, ventilatorë dhe barnat e domosdoshme për të luftuar këtë pandemi. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë pa pajisje mbrojtëse. Nuk mund të lihen qytetarët nën panikun për t’u përballur me pandeminë. Nuk mund të lihen të sëmurët në mëshirë të fatit, që trajtohen në banesë, që nuk iu rimbursohet asgjë. Pa dyshim që është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit, në mbështetje të sektorit të shëndetësisë”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme