Hungaria mbështet nisjen e bisedimeve të anëtarësimit Shqipëri – Bashkimi Europian

Ministrja e jashtme shqiptare dhe ministri i jashtëm hungarez kanë apeluar nga Tirana për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit Shqipëri-Bashkimi Europian. Pas një takimi me homologun hungarez, ministrja Olta Xhaçka theksoi se Shqipëria pret që Bashkimi Eropian t’i qëndrojë fjalës për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare brenda presidencës portugeze. “Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë! Dhe presim që BE t’i qëndrojë fjalës së saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës portugeze. Shqipëria do të vazhdojë me reformat dhe punën për modernizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojë të luajë një rol kyç konstruktiv në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç ka bërë deri më sot” tha zonja Xhaçka.
Nga ana e tij shefi i diplomacisë Peter hungareze Szijarto tha se “Ne do t’i kërkojmë Europës së Bashkuar dhe vendeve që nuk janë aq të ndjeshme ndaj çështjeve të Ballkanit Perëndimor, të nisin bisedimet sa më shpejt për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit. Kjo është e rëndësishme nga pikëpamja e sigurisë. Po shohim se presioni i emigracionit të paligjshëm mbi Ballkanin Perëndimor po përshkallëzohet. Dhe ndalimi i suksesshëm i këtij emigracioni kërkon bashkëpunim të ngushtë brenda BE”, tha ministri Szijjártó.
Të dy ministrat mësohet të kenë biseduar edhe për marrëdhëniet ekonomike duke paralajmëruar se shumë shpejt një kompani hungareze do të ndërtojë një stacion energjitik diellor duke rritur kështu kapacitetin e brendshëm dhe ndihmuar në reduktimin e importeve energjitike për Shqipërinë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



