Rizgjedhja e Pelosit: Ruçi letër urimi: Amerika më e fortë, për një botë më të mirë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, i dërgoi një mesazh urimi Znj.Nancy Pelosi me rastin e rizgjedhjes Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Me rastin e rizgjedhjes Suaj në detyrën e lartë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të përzemërta.
Cilësitë e vyrtytet e larta të lidershipit Tuaj, përkushtimi i jashtëzakonshëm dhe përvoja mbi tridhjetëvjeçare në Kongres si udhëheqëse e sprovuar dhe e shkëlqyer, në drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë termit 2007-2011 dhe 2019-2021, si edhe në drejtimin për një periudhë të gjatë të grupit të Demokratëve, janë garancitë se Dhoma e Përfaqësuesve do t’u shërbejë me besnikëri aspiratave dhe interesave të kombit amerikan.
Nën drejtimin Tuaj, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Kongresi i ShBA do të vazhdojnë të kontribojnë në mbështetjen e zhvillimit, ruajtjen e paqes, garantimin e sigurisë në botën e sotme, daljen nga pandemia e Covid-19 dhe përkrahjen e kombeve në të gjithë globin për liri, qytetërim e demokraci.
Lidershipi dhe administrata e Presidentit Joe Biden është një garanci e sigurt për një Amerikë më të fortë dhe një botë më të mirë.
Jam i bindur se bashkëpunimi midis Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të vazhdojë të fuqizohet në të ardhmen.”, shprehet Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në letrën e urimit dërguar Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Znj. Nancy Pelosi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




