Dosja “184”, PD do të ankimojë vendimin e Prokurorisë

Partia Demokratike do të ankimojë vendimin e Prokurorisë për dosjen 184 të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër, njoftoi sot zyra për shtyp e PD.
Për këtë arsye, Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë dosjen e plotë 184 dhe vendimin e saj për këtë çështje. Pas kësaj, i hapet rruga ankimimit të çështjes në gjykatë.
Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e bëri kërkesën me cilësinë e kallëzuesit 4 vjet më parë të krimit të blerjes së zgjedhjeve në Dibër.
Partia Demokratike theksoi se, drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184 dhe pushimin e çështjes për urdhëruesit e manipulimit të zgjedhjeve, duke nisur me Edi Ramën.
“Hetimi, i nisur mbi bazën e kallëzimit të PD zgjati me shumë se 4 vjet, me synimin taktik të paligjshëm për të tejkaluar afatet proceduriale për të shmangur ndëshkueshmërinë e personave, që kanë kryer krime elektorale”, thuhet në kërkesën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD.
PD shpreh edhe një herë bindjen se hajdutët e vërtetë të zgjedhjeve duhet të përballen me ligjin, në çdo kohë dhe kushdo qofshin.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



