“Çështja Bushati”, Rama: PS i ka të ndara gjërat! Qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia individuale!

Ndërsa SPAK ka nisur hetimet ndaj deputetit socialist, njëherësh dhe kryetar i PS së Tiranës Ervin Bushati për fshehje të pasurisë, kryetari dhe kryeministri socialist Edi Rama, ka deklaruar se PS nuk është bërë dhe as nuk do të bëhet mburojë për askënd që përballet me akuza për shkelje ligji. “PS ka një ndryshim të madh nga partitë e tjera që mendojnë sa për sy e faqe. PS i ka të ndara gjërat. Qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia individuale. PS as është bërë, as bëhet dhe as nuk do të bëhet ndonjëherë mburojë e askujt që duhet që me përgjegjësinë individuale të përballet me çdo akuzë, çdo hetim, çdo procedim” tha zoti Rama në një komunikim me shtypin. “Sa i takon veshjes apo zhveshjes së zoti Bushati apo çdo zotërie tjetër është një çështje që i takon familjes sonë politike dhe e dimë ne sesi dhe kur e bëjmë këtë proces në raport me qytetarët. Mos kini asnjë merak për PS” tha zoti Rama.
Pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) i ka konfirmuar Partisë Demokratike në opozitë se kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati, është nën hetim për dy vepra penale mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
Vetë deputeti socialist Ervin Bushati ka thënë se nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga hetimi i SPAK për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa mbetet në pritje të verdiktit të drejtësisë. “Unë nuk kam punuar asnjëherë në post ekzekutiv, këto janë prona të trashëguara. Më vjen keq që të përfshihet familja, pasi për mua është e shenjtë. Pse duhet t’i fsheh pronat e babait tim, i cili ka 12 vite që ka ndërruar jetë?” spjegoi zoti Bushati pozicionin e tij. “S’kam arsye. I kam deklaruar që në vitin 2011. Çdo institucion i drejtësisë bën detyrën dhe e inkurajoj të bëjë detyrën” ka thënë deputeti socialist Ervin Bushati.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




