Taksa e qarkullimit te mjetet, eksperti: Përfitojnë ata që bëjnë shumë kilometra

Aktualitet | 53 minuta më parë

Makinat e përdorura mbi 10 vjet pritet të përballen me rritjen më të madhe të taksës vjetore, në kuadër të ndryshimeve të propozuara në paketën fiskale për vitin 2027.

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, eksperti i ekonomisë Edvin Stefani theksoi se nga skema e re mund të përfitojnë drejtuesit që përshkojnë më shumë kilometra, pasi taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit.

“Unë, me të vërtetë, paguaj më shumë, por do të paguajmë më pak për karburantin. Kjo do të thotë që mund të përshkoj më shumë kilometra, pra të përdor më shumë karburant. Në fund të periudhës, duke përdorur më shumë karburant me çmim më të lirë, por duke paguar një taksë më të lartë, në fund të vitit mund të kem një përfitim nga kjo gjë”, u shpreh Stefani.

Një tjetër kategori që do të preket nga ndryshimet janë automjetet elektrike.

Për to propozohet vendosja e një takse vjetore deri në 15 mijë lekë, duke ndryshuar skemën aktuale të përjashtimit nga ky detyrim.

Ndërkohë, edhe automjetet e luksit do të kenë një detyrim më të lartë. Taksa vjetore për këtë kategori parashikohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.

“Jo vetëm që e disfavorizojmë makinën elektrike në aspektin e kolaudimit, por edhe në karikim. Shtimi i taksës për makinat elektrike e dekurajon individin që të blejë një makinë elektrike. Mënyra se si po ndërtohet kjo politikë e re përmban një paradoks. Nga njëra anë, ne duam të mbledhim detyrimet tatimore për të financuar të mirën publike nga këndvështrimi i shoqërisë, por nga ana tjetër, si shoqëri duhet të kujdesemi për mjedisin. Prandaj është e rëndësishme që të tregojmë kujdes për mjedisin dhe t’u lëmë brezave që do të vijnë një ambient sa më të pastër”, tha ai.

Ndryshimet synojnë transferimin e barrës fiskale nga konsumi i karburantit te pronësia e automjetit, duke bërë që efekti ekonomik të ndryshojë në varësi të llojit, vjetërsisë dhe përdorimit të makinës.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme