Basha premton qeveri që punon për njerëzit, Rama ironizon

Kreu i PD-së në opozitë Lulzim Basha, ka premtuar se me si kryeministër i vendit, gjithçka do të jetë ndryshe, nga dështimet e qeverisë Rama. “Përfytyroni një qeveri që punon për njerëzit, që jep ndihmë financiare për çdo familje. Një qeveri që ka një plan kundër pandemisë, që investon tek shëndetësia” shkruan zoti Basha në Twitter. “Pas 7 vitesh plot dështime, ku Rama vetëm e shkatërroi ekonominë dhe shëndetësinë, shumëkush priret të mendojë se nuk mund të jetë ndryshe. Por e vërteta është se mund dhe do të jetë ndryshe – bashkë ne do ta bëjmë realitet!” shkruan kreu i opozitës.
Por nuk ka vonuar reagimi i kryeministrit Rama. “Përfytyroni dhe një kryeministër që flet në gjumë dhe fle në këmbë” shkruan ai.
Më parë ai kishte ironizuar dy prej ish ministrave të shëndetësisë në kohën e opozitës. “Parafytyrojeni vetëm një moment, sikur dallgët e egra që Covid-19 ka ngritur për mbarë botën, të na kishin gjetur me spitalet e 7 viteve më parë, me aparaturat e shtatë viteve më parë, me laboratorët e 7 viteve më parë, me instrumentat mjekësorë të shtatë viteve më parë, me shtretërit e shtatë viteve më parë, me muret, dyshemetë e tualetet e 7 viteve më parë, me urgjencën mjekësore e me autoambulancat e 7 viteve më parë… dhe me Nard Ndokën a me Peço Vasilin në krye të shëndetësisë!!!” shkruan zoti Rama në Facebook.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




