Basha: Qindra mësues të infektuar me COVID-19 gjatë dy muajve të fundit, qeveria asnjë masë për rritjen e testimeve

Politikë | 6 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku ndau me ta shqetësimin për situatën e vështirë që po kalon arsimi shqiptar muajt e fundit dhe masat që janë marrë për mbrojtjen e shëndetit të mësuesve dhe nxënësve në ambientet shkollore.

“Përshtatja e orareve me protokollet e reja për mbrojtjen nga COVID-i ka shtuar arsimtarëve një ngarkesë të papërballueshme, që përkthehet në lodhje dhe mungese eficensë në procesin e mësimdhënies. Asnjë mbështetje financiare nuk ka pasur për ta si shpërblim i orëve të shtuar gjatë javës”, tha ai.

Basha shtoi se “mësuesit u shprehën se ata gjenden krejtësisht të pambrojtur nga rreziku i vazhdueshëm nga infektimi me COVID-19. Si të mos mjaftonte ky rrezik, shumë prej mësuesve që po kalojnë apo kanë kaluar virusin kanë frikë të marrin leje nga autoritetet mësimore nga frika se pas pushimit dy-javor, ata nuk do të kthehem më në punën e tyre”.

“Me dhjetëra, në mos qindra mësues janë infektuar dy muajt e fundit, ndërkohë që qeveria nuk po bën asgjë për të rritur numrin e testimeve për ta, si një masë emergjente në ndihmë të luftës ndaj infeksionit. Viktimat nga radhët e trupës së arsimtarëve nuk kanë qenë të pakta, teksa qeveria vijon të injorojë nevojat dhe kërkesat e këtij sektori jetik në edukimin e brezave të ardhshëm. Ne prej fillimit kemi kërkuar edhe do vazhdojmë të kërkojmë që ju të keni trajtimin që kemi kërkuar dhe për mjekët dhe infermierët. Trajtim mbrojtës do të thotë depistimi, pra testimet tuaja të vazhdueshme si kategoria më e ekspozuar pas mjekëve dhe infermierëve dhe kjo është arsyeja që prej fillimit kërkova testim masiv të gjithë mësuesve kur fillojë sezoni arsimor”, tha ai.

“Së dyti, marrja e masave në ambientet arsimore, higjienizimi, uji i rrjedhshëm, pastrimi, dezinfektimi dhe maskat. Çfarë i kushton shtetit të blejë mjaftueshëm maska falas për arsimtarët? Kjo është arsyeja se pse duhen protokolle të qarta, protokollet e ajrosjes, të ventilimit, oraret kur ju duhet të dilni dhe të merrni frymë lirisht, të hiqni maskën, siç e kanë ato vende të cilat ndjekin këto praktika të pranisë së kufizuar”, tha Basha.

Gjithashtu, Basha tha se, ” gjëja e parë që bëjmë në planin tonë, është që niveli i financimit për arsimin në tërësi, duke përfshirë arsimin parauniversitar në veçanti, do të jetë jo më pak se në vendet e rajonit dhe do të synojë si përqindje të buxhetit, përqindjen e buxhetit si Bashkimi Europian. Qëllimi i përqasjes tonë do të jetë që brenda 4 vjeçarit tonë të parë, rroga minimale e arsimtarit shqiptar të jetë 700 euro në muaj, minimalja”.

“Për sa i përket arsimit profesional të mesëm, duhet t’ju them që është dhe do të jetë një prioritet programi dhe do të jetë në veçanti i financuar nga qeveria. Kemi mësuar edhe nga dështimet e kësaj qeveria, që janë të panumërta. Kemi mësuar është nga provoja e mëparshme. Synimi do të jetë që asnjë bir apo bijë shqiptari të mos mbetet pa studiuar për shkak të rrethanave ekonomike të familjes dhe dua ta mbyll duke ju kërkuar që të keni vëmendje dhe kujdes maksimal. Ju kërkoj ju, si prindërit e dytë të shoqërisë, të keni kujdes maksimal për shëndetin tuaj, të mbroni veten tuaj, në këto kushte shumë të vështira. Sikundër dua t’ju siguroj, t’ju garantoj se nuk do të rresht së përsërituri dhe të bëj çdo hap të mundshëm për të garantuar një mbështetje financiare antiCOVID për shkollat shqiptare, për mësuesit shqiptarë, natyrisht për nxënësit dhe prindërit shqiptarë.”​, përfundoi Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme