BE: 9 miliardë € grante, 20 miliardë € investime për Ballkanin

Politikë | 6 vite më parë

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka deklaruar në samitin për Ballkanin Perëndimor, se BE do të japë 9 milionë euro grante dhe rreth 20 miliard euro investime për të arritur një rritje ekonomike prej 3.6 për qind në shkallën mesatare. Në këtë samit kanë marrë pjesë edhe vetë kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kreu i RCS, Majlinda Bregu, por edhe figura të tjera evropiane.

Komisioneri Evropian i Zgjerimit ka bërë të ditur se e vetmja rrugë e Evropës është që të mbështesë Ballkanin. “E ardhmja e të gjithë rajonit qëndron në Bashkimin Evropian dhe është në interesin tonë strategjik t’ju afrojmë me BE-në, pasi është në tuajin që të anëtarësoheni. Vetëm 6 muaj më parë në Samitin BE- Ballkan Perëndimor në Zagreb, ramë dakord të vazhdojmë thellimin e integrimit ekonomik rajonal, duke u mbështetur në rregullat dhe standardet e BE dhe duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për afrimin e rajonit dhe kompanive të tij në Tregun e Brendshëm të BE. Sot shohim rezultate. Tregu i Përbashkët Rajonal do të rrisë tërheqjen dhe konkurrencën e rajonit dhe do të ndihmojë në kthimin e tij në një qendër investimesh, interesante edhe për investitorët globalë që kërkojnë të zvogëlojnë distancën në tregjet e BE-së”, theksoi Varhelyi.

Komisioneri tha se në Zagreb është rënë dakord gjithashtu se Komisioni do të paraqesë një plan të fuqishëm ekonomik dhe investimesh për rajonin për të rritur ekonomitë, për të përmirësuar konkurrencën. E në këtë pikë, Varhelyi ka detajuar dy shifrat 9 miliardë € të fondeve të granteve, dhe të paktën 20 miliardë € investime.

“Tani duhet të sigurojmë zbatimin e tyre për të parë ndryshime reale në terren me shpejtësi, për të rritur konvergjencën ekonomike të rajonit dhe, më e rëndësishmja, të mbështesim rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19”, tha Komisioneri për Zgjerimin. /rtsh.al

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme