Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi: Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet, sepse ai nuk e do Evropën

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi Parlamenti rrëzoi dekretin e presidentit Ilir Meta, për Kodin Zgjedhor. Me anë të një deklaratë për mediat, zoti Bardhi tha se “refuzimi i thirrjes së BE për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias e bën Shqipërinë më pak demokratike dhe më pak evropiane”. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së nënvizoi se Rama “për pushtetin e tij personal, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë dhe t’i ndëshkojë ata duke penguar me dashje hapjen e bisedimeve për anëtarësim”.
“Injorimi i thirrjes së Bashkimit Europian për të pritur Opinionin e Komisionit e izolon përfundimisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Europën. Kjo është përgjegjësia e vetëm një njeriu, që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi Bardhi.
“Me rrëzimin e dekretit të presidentit, duke refuzuar thirrjen e Bashkimit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e njëanshëm Zgjedhor, Shqipëria është më pak demokratike dhe më pak evropiane. Qeveria e Edi Ramës është identifikuar në Bruksel dhe në kryeqytetët kryesore evropiane, si një qeveri që punon kundër integrimit evropian dhe kundër interesit të qytetarëve. Me refuzimin që i bëri thirrjeve të përsëritura të Bashkimit Evropian, Edi Rama, nuk ndryshon nga Llukashenko. Për pushtetin e tij personal, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë, të izolojë shqiptarët dhe t’i ndëshkojë ata duke penguar me dashje hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Injorimi i thirrjes së Bashkimit Evropian për të pritur Opinionin e Komisionit, e izolon përfundimisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Evropën. Kjo është përgjegjësia e vetëm një njeriu, që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tentativa e Edi Ramës për ta vënë Komisionin e Venecias përpara faktit të kryer, me teorinë që me Opinionin do të shohim se çfarë mund të bëjmë pas zgjedhjeve, është qasja më antidemokratike që mund të mbajë Kryeministri i një vendi që pretendon të nisë negociatat me BE”, theksoi Bradhi.
Sipas tij, rregullat e zgjedhjeve nuk janë referendum në PS për të emëruar Edi Ramën Kryetar të Rilindjes! Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shprehet se ligji zgjedhor është garancia e qytetarëve shqiptarë për zgjedhje demokratike dhe të ndershme.
“Ai duhet domosdoshmërisht të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane, që të jetë i pranueshëm nga qytetarët dhe partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Kurrë në këto 30 vite Shqipëria nuk ka shmangur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe ODIHR përpara miratimit dhe implementimit të ligjit zgjedhor, as kur ai ka qenë konsensual. Asnjë palë nuk mund të imponojë rregulla të njëanshme palëve të tjera pjesëmarrëse ne zgjedhje! Kjo nuk është demokratike. Njëanshmëria e Edi Ramës, frika e tij nga zgjedhje e vërteta, shkelja e Marrëveshjes së 14 Janarit dhe 5 Qershorit, që shtruan rrugën për një klimë politike normale parazgjedhore, si dhe arroganca për të injoruar nevojën për ekspertizë ndërkombëtare nga Komisioni i Venecias, po fut seriozisht vendin drejt një aventure të rrezikshme dhe të panjohur, në përplasje me Bashkimin Evropian. Çdo akt i Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit tregon se ai ka frikë nga zgjedhjet! Edi Rama ka frikë nga vota e qytetarëve, prandaj refuzoi hapjen e vërtetë të listave dhe votimin e deputetëve direkt nga qytetaret. Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet, sepse ai nuk e do Evropën. Ai do vetëm të vjedhë, të zaptojë, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve. Kjo është arsyeja përse Shqipërisë i shtohen kushtet nga viti në vit. Edi Rama bën mirë që ka frikë nga zgjedhjet! Pas 25 Prillit ai do të mbajë përgjegjësi ligjore për çdo të keqe që i ka bërë vendit dhe shqiptarëve në këto 8 vjet! Nuk ka as Kod Zgjedhor, as Kushtetutë, asnjë formulë magjike që ta shpëtojë nga vota e shqiptarëve!”, komentoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




