Dhomat e Specializuara, të martën shpallet aktgjykimi në rastin e pengimit të drejtësisë për Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë

Të martën, më 17 nëntor 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin aktgjykimin në çështjen e njohur si “Administrimi i Drejtësisë”. Seanca, e cila kërkon praninë fizike të të gjithë të akuzuarve, është parashikuar të nisë në orën 10:00.
Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Fadil Fazliu. Sipas akuzave të ngritura, gjatë periudhës nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, përmes vizitave të paprivilegjuara në paraburgim, “Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial për dëshmitarë të Prokurorisë”, me qëllim që të ndikonte në dëshmitë e tyre dhe të pengonte zyrtarët e DHSK-së në kryerjen e detyrave. Ndërkohë, ndaj Hajredin Kuçit rëndojnë akuza se ka kontaktuar dëshmitarë në kundërshtim me urdhrat e gjykatës.
Kronologjia e kësaj çështjeje përfshin konfirmimin e aktakuzës në fund të vitit 2024 dhe nisjen e gjykimit më 27 shkurt 2026. Pas shqyrtimit të provave dhe deklaratave përmbyllëse të zhvilluara përgjatë muajve të parë të vitit, Gjykatësi i Vetëm e shpalli çështjen të mbyllur më 14 shtator 2026, duke i hapur rrugë vendimit që pritet të jepet këtë të martë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




