Rama në parlament: Greva kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar!

Kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur sot në parlament se është i gatshëm të bisedojë me grevistet e urisë në Uzinën e naftës në Ballsh, vetëm nëse ato dalin nga greva. “Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar” përsëriti vazhdimisht zoti Rama. “Rafineria nuk është e shtetit sepse është privatizuar. Në mënyrë skandaloze, kuptohet. Dihet botërisht. Nga qeveria e partisë suaj, e ish partisë suaj . Dhe qysh atëherë ajo nuk është më në duart e shtetit. Është në duart e privatit dhe punonjësit e një kompanie private, kur ajo falimenton, trajtohen me asistencë sociale nga shteti. Ky është detyrimi që ka shteti, asistencë sociale!” spjegoi kryeministri. Ai kritikoi dhe opozitën e cila sipas tij po ben presion të kotë për këtë çështje. Por më së shumti zoti Rama sulmoi kreun e shtetit Ilir Meta, duke e akuzuar se po kërkon me çdo kusht të pengojë, zgjedhjet, përparimin dhe integrimin e vendit. “Është një përpjekje që përsëri tregon se ku do të dalë Ilir Meta. Do të dalë aty ku faktikisht deshi të dalë edhe më parë, të hedhë në erë zgjedhjet” tha zoti Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




