Kryeministri Rama, ndjek nga Libani kthimin në shtëpi të 4 fëmijëve: Ishte një operacion i komplikuar. Më vjen mirë që i’a dolëm

Kryeministri Edi Rama, i cili po ndjek nga Libani hap pas hapi kthimin në shtëpi të 4 fëmijëve dhe gruas, ka folur edhe për gjendjen e kësaj të fundit dhe mos kthimin e Eva Dumanit në shtëpi. Floresha Rasha, gruaja dhe fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha, si dhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani, do të kthehen nesër në Tiranë.
Për motrën e Endrit, Eva Dumanin, zoti Rama tha për mediat se ajo është mirë, por situata është më e komplikuar se kaq, duke mos dashur të japë më shumë detaje. Ndërsa për gjendjen e Floresha Rashës, kryeministri u shpreh se “e ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë, ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër”.
“Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar. Më vjen mirë që i’a dolëm. Kam kontaktuar edhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin, që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj edhe drejtorin e antiterrorist, që për 30 ditë, ka bërë përpjekje të vazhdueshme, po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë. Bashkë me fëmijët tani do kthehemi në Tiranë. Kemi ngritur rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar më kujdes. E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë. Ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme është se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët,” tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se pjesa më e vështirë është ajo për të nxjerrë pengjet.
“Nuk mund të flasësh, informosh, sepse konfidencialiteti është baza në këtë proces. Nuk është një ndërveprim me një factor, por me shumë. Më vjen mirë të them se ne nuk kemi qenë në gjumë. Tani unë nuk mund të flasë për më shumë. Edhe për këta fëmijë, deri në momentin e fundit, kemi qenë më zemër të ngrirë. Ka pasur dy-tre momente te vështira në këtë operacion”, deklaroi zoti rama për mediat. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



