Bardhi: Kthimi i Kodit Zgjedhor në parlament mundësi për rikthimin e konsensusit politik

Politikë | 6 vite më parë

Opozita e Bashkuar përshëndei vendimin e presidentit Meta për kthimin e Kodit Zgjedhor në parlament. Sekretari i përgjithshëm i PD  Gazment Bardhi e konsideroi si një mundësi për rikthimin e konsensusit politik, në vend të minimit të klimës parazgjedhore dhe deformimit të rezultatit zgjedhor në tavolinë.
“Paqja publike dhe pranueshmëria e klimës parazgjedhore janë premisë themelore për një proces zgjedhor të gjithë pranuar” tha zoti Bardhi. Ai i konsideroi ndërhyrje e njëanshme dhe brutale në kushtetutë, e pasuar nga deformime të rënda ligjore sjelljen e maxhorancës për miratimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor. Ky akt, i realizuar jashtë Tryezës së Këshillit Politik, mbetet një shkelje e flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit. Akte te tilla, të marra në verbëri politike, komprometojnë rëndë interesin publik dhe, mbi të gjitha, rrugën integruese të Shqipërisë” tha zoti Bardhi. 
Sipas tij “Hapësira që Presidenti i Republikës ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eliminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor”.”Zgjedhjet e lira, të ndershme e të qeta, janë shërbimi më i mirë që qeveria e ka për detyrim t’ia ofrojë shoqërisë shqiptare edhe si zgjidhje për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe sociale që vendi po kalon. Dhe, mbi të gjitha, si rruga e vetme drejt së ardhmes europiane të vendit” mbylli deklaratën e tij zoti Bardhi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme