Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Kur të vijmë në pushtet, me ligjin tonë “Antimafia”, do anulojmë kontratat e oligarkëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një konference për mediat, ka prezantuar platformën e PD-së anti-korrupsion dhe anti-oligarki të quajtur si “ligji Antimafia”, duke thënë se “kur të vijë PD në pushtet, këto kontrata do të anulohen dhe do të hetohen”. Zoti Basha shprehet se ky ligj do të ndalojë aferat korruptive si ajo e incerenatorëve. Kreu i PD hodhi akuza se paratë që u vidhen shqiptarëve, po fshihen jashtë vendit dhe kërcënoi se me ardhjen në pushtet do të vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë pjesë e këtyre aferave.
“Ligji Antimafia, i miratuar nga parlamenti i ri legjitim, do të jetë vendimi i parë i qeverisë së re dhe do të zbatohet. A ka situata më të rënda se sa në një vend paratë të zhduken e të vidhen nga një grup njerëzish? Si kemi arritur deri këtu? Zgjidhjen e shohim te ligji Antimafia. Ky ligj do të bazohet në një bazë logjike dhe ligjore: Çdo koncension, çdo PPP, kalon përmes një kontrate mes privatit e publikut. Kontrata në përputhje me ligjin ka forcën e ligjit. Ato që bien në kundërshtim me të janë të pavlefshme. Çdo gjë e marrë në mënyrë abuzive do t’i kthehet publikut me efekt prapaveprues. Mekanizmi bazë është ai i ndryshimit në ligjin Antimafia. Këto masa të parashikuara me ligjin tonë Antimafia të përditësuar, fokusohen te pasurua e zyrtarëve publikë që kanë abuzuar, pronarëve të kompanive private dhe të afërmve të tyre, dënohen apo jo, pasuritë e tyre sekuestrohen dhe konfiskohen. Kompani që licensiohen pak para tenderit, kompani pa përvojë, kompani off shore, shpikje e propozimeve të pakërkura, tendera ndaj njerëzve të paautorizuar, skualifikime të padrejta për qëllime klienteliste, kompani që i plotësojnë kriteret po i skualifikojnë. Këto janë disa nga format e abuzimit që janë lidhur këto kontrata. Sikur njëra nga këto të vërtetohet çdo qindarkë do ju kthehet shqiptarëve me ligjin Antimiafia. Zbatimi i masave do kalojë nga tre hallka: Qeveria është e para do ketë detyrën e verifikimit, pastaj do i kalojë SPAK e vendimin e jep GJKKO. Barra e provës bie te kompania private apo zyrtari që ka krijuar kontratën”,- tha Basha.
Zoti Basha akuzon se lekët që janë marrë nga koncesionet korruptive janë fshehur në llogari bankare ne Maltë, Singapor dhe Hong Kong dhe Dubai. Ai u zotua se me ardhjen në pushtet do i gjurmojë këto para dhe do ja kthejë qytetarëve.
“Mund ta themi thirrjen tonë në të gjitha gjuhët e vendeve që këto kanë llogarinë sekrete që kanë dërguar paratë e korrupsionit, në Maltë, Singapor, Hong Kong, Dubai, dua ti siguroj që nuk kanë shpëtim. Unë kam kontaktuar dhe kam harxhuar ditë të tëra me krerët e agjencive të specializuara në botë të aleatëve tanë strategjikë, puna ka nisur, nesër me ne në qeverisje do finalizohet Nuk kishte shpëtim as Eskobari, jo më këta. Për këtë nuk kemi thjesht fjalë, po draft ligjin antimafia”, tha Basha. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




