Integrimi, Balla në Shkup: Shqipëria e Maqedonia shpresojnë të mbajnë konferencat e para ndërqeveritare në dhjetor!

Politikë | 6 vite më parë

Shqipëria e Maqedonia shpresojnë të mbajnë konferencat e para ndërqeveritare në dhjetor. Deklarimet vijnë nga Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla pas takimeve në Shkup me Kryeministrin Zoran Zaev, Presidenti Stevo Pendarovski, Zv.Kryeministri Artan Grubi, Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Bujqësisë si dhe drejtues të opozitës.
”Kemi diskutuar në këto takime për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve, bashkëpunimin mes dy parlamenteve tona. Ne ndajmë të njëjtën aspiratë integruese dhe shpresojmë që brenda këtij viti, në Dhjetor, qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut të mbajnë konferencën ndërqeveritare, e cila është, në aspektin formal dhe momenti i fillimit zyrtar të bisedimeve për anëtarësim” tha zoti Balla.
Delegacioni shqiptar ndërkohë është deklaruar për nevojën dhe hapësirat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në vijim të atij politik shumë të mirë.
”Kryeministri Zaev, me të drejtë theksoi, se viti 2020 do të mbahet mend si viti me numrin më të lartë të turistëve maqedonas në Shqipëri dhe besoj kjo gjë do të reflektohet edhe në vitet e tjera dhe ne duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim për të mikpritur më shumë turistë vitet e ardhshme. E dyta ka të bëjë me prodhimet bujqësore në të dy vendet. Shqipëria eksporton në Maqedoni, por edhe importon nga Maqedonia e Veriut. Me zyrtarët e lartë maqedonas kemi diskutuar çështje të bashkëpunimit të ngushtë mes nesh. Me Ministrin e Bujqësisë në mënyrë të veçantë diskutuam projekte konkrete të prodhimeve shqiptare që mund të vijnë në Maqedoninë e Veriut pasi ka interes nga sipërmarrës shqiptarë.” tha zoti Balla.
Popullsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut konsiderohet nga politika e të dy vendeve si urë shumë e rëndësishme bashkëpunimi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme