Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, i premton Komisionierit të BE-së: Brenda këtij viti do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese

Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, në fjalën përshendetëse i ka premtuar Komisionierit të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, se brenda këtij viti do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese, duke plotësuar kështu edhe kushtin për çeljen e negociatave.
“Ne jemi tërësisht të angazhuar për këtë proces, duke plotësuar hap pas hapi rekomandimet e Këshillit Evropian. Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar si objektiv bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti. Dëshiroj t’ju siguroj se edhe për rekomandimet dhe përparësitë e tjera që na caktoi Këshilli Europian dhe të cilat Ju nënvizuat në prezantimin e datës 6 tetor, ne po punojmë më të njëjtin ritëm e përgjegjësi”, deklaroi Ruçi në fjalimin e tij, duke ia pasuar fjalën komisionerit.
I nderuar zoti Varheli, Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë. Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, që, për shkak të rrethanave të pandemisë, e ndiqni këtë seancë në mënyrë virtuale.
Zoti Oliver Varheli është një politikan dhe diplomat i shquar. Ai ka dhënë një kontribut të madh për bashkëpunimin e vendit të tij të origjinës, Hungarisë, me Bashkimin Europian.
Zoti Varheli, Ju shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen që Hungaria dhe katër vendet e Vishegradit i kanë dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Si Komisioner i Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Bashkimit Europian, Ju shprehim mirënjohjen që vendimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë u muar gjatë mandatit Tuaj.
Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë vetëm një ditë pasi prezantuat Paketën e Zgjerimit të BE-së 2020 dhe Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, ku vlerësuat reformat e Shqipërisë dhe bëtë thirrje për vazhdimin e tyre.
Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë vetëm dy ditë pas votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat iu afruan maksimalisht, aq sa ishte e mundur, projekteve të opozitës parlamentare dhe jashtë parlamentare, por çka është kryesorja, realizimit të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për më shumë vendimmarrje në votimin e përfaqësuesve në degën legjislative.
Ne jemi tërësisht të angazhuar për këtë proces, duke plotësuar hap pas hapi rekomandimet e Këshillit Europian. Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar si objektiv bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti. Dëshiroj tju siguroj se edhe për rekomandimet dhe përparësitë e tjera që na caktoi Këshilli Europian dhe të cilat Ju nënvizuat në prezantimin e datës 6 tetor, ne po punojmë më të njëjtin ritëm e përgjegjësi.
Para pak ditësh u kam nisur Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare një letër, në të cilën i informova mbi hapat e deritanishëm si edhe u bëra të njohur Rezolutën e Kuvendit dhe Planin e Masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian, miratuar së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shqiptarët dhe popujt e Ballkanit Perëndimor ju janë mirënjohës për vlerësimin që u bëni si bashkëmbartës të vlerave europiane e perëndimore. Këto vite do të shënohen në kujtesën europiane si vitet kur popujt e Ballkanit Perëndimor, të përjashtuar me forcë nga harta politike e Europës, po rikthehen me dëshirë dhe entuziazëm në familjen e tyre.
Të gjithë duhet të ndihemi krenarë që po kontribojmë që kufijtë politikë të Europës të afrohen me kufijtë kulturorë dhe qytetërues të saj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




