Moti i keq shkakton probleme në disa zona të Greqisë Perëndimore

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa zona të Greqisë Perëndimorë, ku karakteristikat kryesore janë erërat e forta dhe stuhitë e breshrit. Në një komunë janë evakuuar banorët për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e mundshme të dherave.
Ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në disa zona ku ka hequr pemët e rëna për shkak të erërave të forta. Ndërsa reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të rënda në zonat malore të Trikalas, ku si pasojë është dëmtuar rrjeti rrugor në disa fshatra. Rrëshqitje të mëdha dherash janë regjistruar edhe në Janinë. Veçanërisht probleme janë krijuar në rrugët e rajonit Cumerka.
Automjetet e Mbrojtjes Civile po punojnë në të gjitha pikat problematike për të rikthyer qarkullimin rrugor.
Lundrimi është ndaluar në disa nga portet e vendit për shkak të erërave të forta. Shërbimi meteorologjik grek ka paralajmëruar reshje shiu e stuhi breshëri në detin Jon, Epir, Greqinë qendrore, Peloponezin perëndimor, në ishujt e Egjeut dhe Thesali.
Në Epir pritet të bjerë sasia më e madhe të reshjeve, megjithatë efektet e stuhisë, e klasifikuar si Kategoria 4, do të ndjehen në shumë pjesë të Greqisë. Ndërsa gjatë mëngjesit të së dielës, moti i keq pritet të godasë edhe ishujt lindorë të Egjeut.
Gazetare V. Zharri
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




