Andrija Mandiq zgjidhet kryetar i Parlamentit të Malit të Zi

Kryetari i Demokracisë së Re Serbe (NSD) dhe një nga liderët e koalicionit Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG), Andrija Mandiq u zgjodh kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Mandiq u zgjodh në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit nga korriku. Në votimin e fshehtë, 49 deputetë votuan për zgjedhjen e Mandiqit, ndërsa asnjë votë kundër.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Boshnjake, Socialdemokratëve, Partisë Liberale, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Mandiq pas diskutimit në seancën e Kuvendit tha se misioni i tij është të pajtojë Malin e Zi.
“Ky është debati më i gjatë për kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe nuk më kujtohet që në këtë parlament të jenë bërë ofendime ndaj ndonjë individi, e jo deputetit që ka më shumë përvojë”, tha Mandiq.
Pozita e kryetarit të Kuvendit i takonte koalicionit Për Ardhmërinë e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar më herët nga përbërësit e qeverisë së re.
Koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi, nga ana e tij, u zotua të mbështesë zgjedhjen e Qeverisë së Milojko Spajiqit, në të cilën ai do të hyjë zyrtarisht.
Pritet që Mandiq pas zgjedhjes për Kryetar të Parlamentit të caktojë seancën e re të Kuvendit për sot, në të cilën do të zgjidhet Qeveria e 44-të e Malit të Zi.
Parlamenti malazez i ka 81 deputetë.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë u larguan nga salla para votimit. Ata lidhën një fjongo të zezë në mikrofon në emër të, siç thanë, ditës së zezë për demokracinë në Mal të Zi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




