Emisioni “3D” në RTSH, Bregu: Asnjë s’mund të thotë tani se si do të jetë forma e integrimit e Ballkanit Perëndimor në BE

Politikë | 3 vite më parë

Samiti i Berlinit ishte të enjten në mbrëmje në qendër të emisionit “3D” të Alban Dudushit, me të ftuar Majlinda Bregun, sekretare e përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Sipas Bregut, është i bukur organizimi i ngjarjeve të rëndësishme politike apo edhe vetë deklaratat politike, por zbatimi i tyre është një proces më kompleks.

Bregu bëri një përmbledhje të punës së RCC-së, duke evidentuar 4 arritje kryesore të tij: Korridori i Gjelbër, Tregu i Përbashkët Rajonal, Romungu, njohja e diplomave dhe e profesioneve.

“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal pati një sfidë të vështirë siç ishte COVID-i. Në kohën e COVID-it u arrit të krijohej Korridori i Gjelbër në mënyrë që të mbaheshin hapur pikat doganore për ushqimet, mjekët, pajisjet për spitalet etj. Mbajtëm hapur kufijtë edhe mes Kosovës dhe Serbisë,” theksoi Bregu.

Tregu i Përbashkët Rajonal

Një pikë tjetër e rëndësishme sipas Bregut është Tregu i Përbashkët Rajonal, jo vetëm si pjesë e Procesit të Berlinit, por edhe më gjerë.

“Anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të ketë më formën siç ishte ideuar 10 apo 15 vite më parë. Tregu i Përbashkët Rajonal, në pjesën më të madhe janë vende të ish-Jugosllavisë, ku Shqipëria nuk bënte pjesë, është mëse I nevojshëm pasi s’jemi interesant si tregje të copëtuara. BE-ja duke qenë bashkë ka treg të përbashkët të fuqishëm. Investitori do që të ketë një procedurë në të gjithë rajonin. Kjo çon edhe në fuqizimin e fuqisë punëtore. Vendet e rajonit duhet të kenë të njëjtat lehtësia siç kanë vendet në  BE. Procedurat janë të njëjta,” theksoi Bregu.

Sipas saj, Tregu i Përbashkët Rajonal duhet të shtrihet edhe afër vendeve në kufi me BE-në, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për rrugë tokësore, por edhe atë detare dhe ajrore.

“Po ecim me Korridorin e Gjelbër në këtë drejtim,” informoi Bregu.

Romingu, 0 kosto shtesë

Bregu përgjatë intervistës komentoi edhe çështjen e romingut brenda rajonit të Ballkanit.

“Kur të gjithë shkonim më parë brenda vendeve të rajonit kishim proleme me romingun, lidhur me kostot. Nisma ‘Fol si në shtëpi’ në të gjithë rajonin ka çuar në 0 kosto shtesë. Kjo na dha mundësi që të ulen çmimet e romingut edhe me vendet e BE-së. Pas arritjes së kosotos zero mes rajonit u krijua mundësia që të ulen edhe me vendet e BE,” tha ajo.

Pasojat nga bllokimi i marrëveshjeve

Bregu, gjatë emisionit “3D” në RTSH, u shpreh edhe për pasojat nëse një vend bllokon marrëveshjet brenda tregut rajonal.

Sipas saj, bllokimi i një marrëveshjeje në tregun rajonal çon në faktin që atij vendi i bllokohen fondet e dedikuara për të.

“Evropa thotë nëse doni fonde më shumë për shumë fusha, leksioni është se së pari duhet të merreni vesht me njëri- tjetrin dhe se kush bllokon penalizohet. Njohja e diplomave dhe e profesioneve është arritje, pasi ka shumë që duan të shkojnë p.sh në gjermani e kjo nuk lidhet vetëm me Ballkanin. Me krijimin e njohjes së 7 profesioneve, mund t’i kërkojmë nesër dhe BE-së që t’i njohë ato. Njohja e diplomave synohet të bëhet në kohë reale,” tha Bregu.

Sipas saj, për shkak të ndryshimeve, konflikteve të hapura, asnjë s’mund të thotë se si do të jetë forma e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ka shkëndija në Ballkan që mund të sjellin pasoja të paparashikueshme.

“Nuk kemi rrugë tjetër përveç bashkëpunimit rajonal. Procesi i negociatave do të jetë shumë i gjatë, por ne s’kemi kohë për të humbur,” nënvizoi Bregu.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme