Opozitarët në Serbi i shkruajnë Borrellit: Të ndëshkohet Vuçiqi – ai është fajtor për sulmin terrorist ndaj Kosovës

Opozita serbe kërkon nga Bashkimi Evropian që të dënohet personalisht presidenti serb Aleksandar Vuçiq për sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe jo shteti i Serbisë.
Pesë parti opozitare i janë drejtuar me një letër zyrtare Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrell, ku shprehen të shqetësuar për sanksionet e mundshme që Serbia mund të përballet nga ndërkombëtarët, duke u distancuar nga qëndrimet e Vuçiqit
“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimet për mundësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë. Çdo veprim armiqësor që prek Serbinë dhe popullsinë e saj vetëm sa do të rrezikonte më tej vendin tonë dhe rajonin, do të forconte euroskepticizmin ekzistues dhe narrativën e rrezikshme nacionaliste dhe do ta kthente Serbinë në imazhin e saj të viteve ’90. Nga ana tjetër, përgjegjësia politike dhe personale e Aleksandar Vuçiqit për situatën aktuale është e dukshme. Prandaj, ndaj tij dhe ndaj aleatëve të tij më të afërt politikë duhet të vendoset çdo masë e mundshme”, thuhet në letër, transmeton Telegrafi.
Për destabilitetin në veri të Kosovës, në një pjesë të madhe ata bëjnë përgjegjës presidentin serb.
“Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë politike dhe përgjegjësi tjera për ngjarjet në Banjskë”, theksojnë opozitarët serbë në letrën dërguar Borrellit.
Më tej në letër thuhet se “Aleksandar Vuçiq është drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e përfaqësuesve serbë që të largohen nga institucionet e Kosovës, veçanërisht njësitë policore, por edhe për imponimin e zgjidhjeve autoritare dhe jodemokratike. Si rezultat, ajo shkaktoi dhunë dhe viktima politike si z. Oliver Ivanoviq dhe të tjerë, dhe nxiti një gjendje të përgjithshme pasigurie dhe dëshpërimi, e cila çoi në një valë të re emigracioni”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




