Lajçak: Asnjë marrëveshje Prishtinë-Beograd, pa u formuar Bashkimi i Komunave Serbe në Kosovë

Rajon | 4 vite më parë

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se mes mes dy vendeve nuk do të ketë asnjë marrëveshje nëse nuk formohet Bashkimi i Komunave Serbe në Kosovë.

Lajçak theksoi se gjithçka për të cilën është rënë dakord më parë duhet të përmbushet dhe se sipas tij, ZSO duhet të ndërtohet sipas modelit për të cilin është rënë dakord në 2013 dhe 2015.

“Gjithçka që është rënë dakord duhet të përmbushet, nuk është përmbushur për dhjetë vjet, kësaj radhe do të jetë, sepse ne nuk do të kemi një marrëveshje pa komunitetin dhe pa garanci se do të vendoset kësaj radhe”, tha Lajçak, raporton Tanjug.

Deklarata e tij, vjen pas dy vizitave që zhvilloi në Kosovë dhe Serbi, ku u takua me Kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç.

Dokumenti prej 11 nenesh që është bërë publik nga Bashkimi Evropian nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Më 9 mars, Lajçak tha se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe shtoi se takimi i kishte përmbushur pritshmëritë e tij.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme