Ushtruan dhunë ndaj Petraq Milos, lirohen 2 punonjësit e policisë malazeze, dëshmia: Injoroi urdhrat që i dhamë

Rajon | 4 vite më parë

Pas dhënies së dëshmisë, dy policët malazezë që akuzohen se ushtruan dhunë ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo, janë liruar nga paraburgimi. Lajmi bëhet me dije nga media malazeze “vijesti”, ndërsa është publikuar edhe dëshminë e njërit prej policëve.  Dragan Shqekiç ka deklaruar se ai kishte “humbur toruan” pasi, sipas tij, Milo kishte injoruar urdhrat që ai dhe kolegët e tij i kishin dhënë.

“Humba toruan atë ditë për shkak të injorimit të vazhdueshëm të urdhrave që unë dhe kolegët e mi i dhamë shtetasit shqiptar”, ka thënë ai.

Pas dëshmisë së dhënë në prokurori, Nikolla Boljeviç dhe Dragan Shqekiç tashmë do të hetohen në gjendje të lirë. Përveç prokurorisë, hetimet  po kryhen edhe nga Departamenti për Kontroll të Brendshëm të Punës Policore, Ministria e Punëve të Brendshme.

Ngjarja u regjistrua më 15 janar të këtij viti në pikën kufitare të Malit të Zi, teksa nuk ka patur asnjë reagim nga autoritetet shqiptare, Partia e Lirisë dhe as nga vetë profesor Milo. Për ngjarjen reagoi të mërkurën kryeministri Dritan Abazoviç, i cili tha se Milo nuk ka respektuar rregullat dhe radhën në doganën e Muriqanit. Ndërkohë Komiteti i Helsinkit dënoi dhunën e ushtruar nga policia malazeze, duke e konsideruar të turpshme dhe të papranueshme, teksa kërkoi edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm malazez, Filip Axhiq.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme