Marrëveshja e Kumanovës, 22 vjet nga kapitullimi i Millosheviçit

Rajon | 5 vite më parë

Shënohen sot 22 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, pas dorëzimit të ish-ushtrisë së Jugosllavisë dhe kapitullimit të kriminelit serb Sllobodan Millosheviç.

Me këtë marrëveshje, Serbia u detyrua të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës./A2


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme