Ministri Peleshi vizitë zyrtare në Turqi: Mirëpresim investimet në industrinë e mbrojtjes!

Rajon | 6 vite më parë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i tij Hulusi Akar.
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve tona ishte tema kryesore e bisedës mes dy ministrave.
Ministri Peleshi e falënderoi homologun e tij për mbështetjen që Turqia ia ka dhënë Shqipërisë, jo vetëm në modernizimin e logjistikës së Forcave të Armatosura e Emergjencave Civile, por edhe në arsimimin e ushtarakëve të rinj shqiptarë.
Në takim u diskutua edhe implementimi i dy marrëveshjeve financiare ushtarake, grant i palës turke, të cilat do të përdoren për rritjen e kapaciteteve luftarake dhe logjistike të FA shqiptare.
Ministri Peleshi theksoi faktin se Republika e Kosovës është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe rikonfirmoi qëndrimin e qartë të qeverisë shqiptare se e vetmja zgjidhje për një paqe afatgjatë në rajon është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.
Zoti Peleshi i shprehu homologut të tij Hulusi Akar se vendi ynë mbetet i hapur për investimet e përbashkëta në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe se mirëpresim çdo ofertë serioze nga kompanitë turke në këtë fushë.
Vizita zyrtare e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi në Ankara, vjen në vijim të vizitës së kryeministrit Rama në fillim të këtij viti, ku u prit me nderime nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme