Itali, hollësi të reja lidhur me operacionin ndërkombëtar të koduar “Tibus”

Rajon | 6 vite më parë

55 persona janë vënë nën masë ndalimi nga Antimafia italiane me urdhër të Prokurorisë së Romës, njoftojnë burime mediatike nga Italia.

Të ndaluarit janë pjesë e tre grupeve kriminale. Njëri prej tyre është i përbërë vetëm nga shetatas shqiptarë, ndërsa dy grupet e tjera i përkasin grupeve kriminale nigeriane.

Ndër 55 personat e vënë nën ndalim 27 janë shqiptarë, 23 nigerianë,  italianë e 1 shtetas nga Gambia. Mes tyre tre janë femra.

Operacioni u ndërmor edhe në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët e arrestuar janë nga qyteti i Vlorës. Ata akuzohen se trafikonin marijuanë e hashash nga Shqipëria në Itali përmes rrugës detare.

Droga mbërrinte në brigjet pulieze e më pas me ndihmën e dy grupeve kriminale nigeriane shpërndahej në Itali e në Europë. Lënda narkotike trafikohej me automjete të modifikuara e me autobuzë linje që mbërrinin në stacionin Tiburtina të Romës.

Droga transportohej në pako jo më shumë se 1 kg, të konfeksionuara me presion pa ajër. Për shitjen e saj përdoreshin korrierë mjaft të rinj në moshë që paguheshin 50 euro për çdo kg drogë e shitur.

Grupet kriminale komunikonin mes tyre me telefona të modeleve të vjera e me gjuhë të kriptuar.

Baza e trafikantëve nigerianë ishte pjesa jug lindore e kryeqyteti italian me lagjet Torre Angela, Tor Bella Monaca, Borghesiana, Castelverde, Ponte di Nona.

Më pas droga shpërndahej në qytetet italiane Brescia, Modena, Macerata, Genova (Rapallo), Parma, Reggio Calabria (Cittanova) e mbërrinte në Gjermania në qytetin Kothen.

Hetimet e operacionit “Tibus” kanë nisur në prill të vitit 2018 e kanë çuar në sekuestrimin e 481,582 kg marijuanë, 10 kg hashash e 70.000 euro cash. Droga e trafikuar kapte vlerën e 2.5 milionë euro.

Mes të hetuarve është vënë dhe një shtetase gjermane e arrestuar më parë për trafik droge e që në shtator të vitit 2018 vrau dy fëmijët e saj minorenë (duke i hedhur nga shkallët) në burgun e Rebibias në Romë.

Që nga nisja e operacionit e deri më sot janë vënë nën hetim 83 persona.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme