Gjeneralmajori Franco Federici merr detyrën e kreut të KFOR-it

Kosovë | 6 vite më parë

Gjeneralmajori nga Ushtria Italiane, Franco Federici, mori të premten detyrën e kreut të KFOR-it, Forcave të Kosovës të udhëheqa nga NATO-ja në Kosovë, duke zëvendësuar gjeneralmajorin Michele Risi në fund të misionit të tij operacional njëvjeçar.
Në një deklaratë nga KFOR-i bëhet e ditur se gjenerali Risi përshëndeti pasardhësin e tij dhe falënderoi 3.500 ushtarët e tij dhe të gjithë partnerët e KFOR-it që kontribuuan në arritjet e misionit.
“Ndërsa reflektoj për 12 muajt e fundit, kujtoj me qartësi fjalët e mia më 19 nëntor 2019, kur pranova nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë si Komandant i 24-të i KFOR-it, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja. Unë zgjodha moton tonë ‘Stabilitet i Qëndrueshëm’, për të ilustruar se misioni ynë afatgjatë dhe i qëndrueshëm ishte të ishim rezistent ndaj çdo goditjeje për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, tha komandanti i KFOR-it në largim.
Ai gjithashtu tha se që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, KFOR-i me njësitë e tij kontribuoi rregullisht në një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, ndërsa miratoi të gjitha masat parandaluese të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të mbrojtur ushtarët e vetë dhe komunitetet që ata shërbejnë.
“KFOR-i kontribuoi në reagimin lokal ndaj COVID-19 përmes dhurimit të pajisjeve personale për mbrojtje për institucionet shëndetësore në Kosovë dhe duke lehtësuar shpërndarjen e ndihmave nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s. Ndihma u ofrua në një mënyrë të paanshme për të gjitha komunitetet në Kosovë, përmes një numri projektesh gjithashtu në fushën e arsimit”, shtoi gjenerali Risi.
Admirali Robert P. Burke, Komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-së në Napoli, falënderoi gjeneralmajorin Risi dhe ushtarët e tij për rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë mandatit të tij, ndërsa komandantit të ri i uroi të gjitha të mirat për mandatin e ardhshëm.
Gjatë fjalimit të tij, gjeneralmajori Federici shprehu krenarinë që shërben si Komandanti i 25-të i KFOR-it.
“Unë i kushtoj vlerë shumë të lartë punës ekipore dhe kohezionit dhe do të theksoj se vizioni i përbashkët dhe uniteti i përpjekjeve është esencial për suksesin e misionit tonë, jo vetëm brenda KFOR-it, por edhe me Organizatat tjera Ndërkombëtare dhe me Institucionet në Kosovë. Kjo është forca ngasëse prapa motos sonë të Forcës së 25-të të Kosovës: ‘Përparojmë si një’. Me vizion të përbashkët, ne do të sigurojmë përpjekje sinergjike për KFOR-in dhe institucionet në Kosovë”, tha komandanti i ri i KFOR-it, Franco Federici.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme