Pandemia e COVID-19 ka ndikuar rëndë në ecurinë ekonomike të Ballkanit Perëndimor

Sipas një raporti të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate në BE, shpërthimi i COVID-19 dhe masat për të kontrolluar përhapjen e tij kanë ndikuar rëndë në ecurinë ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2020 në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi regjistroi rënien më të fortë të prodhimit. PBB-ja ra me 20.2% në terma vjetorë e nxitur nga një kolaps i eksporteve (përkatësisht turizmit), si dhe nga rënia e konsumit të familjeve dhe formimi i kapitalit fiks bruto.
Gjithashtu, Maqedonia e Veriut regjistroi një rënie dyshifrore të PBB-së reale me 12.7 % me bazë vjetore, pas pothuajse stanjacionit në janar-mars, për shkak të tkurrjes së konsumit privat, investimeve dhe eksporteve.
Në Shqipëri, recesioni u thellua në një tkurrje ekonomike prej 10.2% pas një rënie vjetore të prodhimit me 2.3% në terma vjetorë në tremujorin e parë, kryesisht e ndikuar nga një rënie e madhe e eksporteve si dhe një tkurrje e investimeve, konsumit privat dhe publik.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, PBB ra me 9.3% krahasuar me një vit më parë për shkak të kontraktimit të konsumit privat, investimeve dhe eksporteve. Në mënyrë të ngjashme, prodhimi ekonomik i Kosovës u tkurr me 9.3% në terma vjetorë si pasojë e reduktimit të eksporteve të shërbimeve dhe investimeve ndërsa konsumi privat dhe publik regjistruan rritje pozitive vjetore.
Në Serbi, humbja vjetore e prodhimit në tremujorin e dytë ishte më e butë krahasuar me kolegët e saj në rajon. PBB reale ra me 6.4% në terma vjetorë nga rritja akoma e fortë prej 5.1% në tremujorin e parë. Shkaktarët kryesorë të kësaj tkurrje ishin konsumi privat dhe formimi i kapitalit fiks bruto, të cilat u zbutën pjesërisht nga zgjerimi i konsumit qeveritar dhe një kontribut paksa pozitiv i tregtisë së jashtme.
Në përgjithësi, në tremujorin e dytë të vitit 2020, PBB-ja reale e rajonit të Ballkanit Perëndimor u tkurr me 9.1% në terma vjetorë.
Për Shqipërinë, raporti analizon se recesioni përkeqësoi tregun e punës në tremujorin e dytë, teksa punësimi u tkurr me 3.9% me bazë vjetore, duke reflektuar humbjen e 34 mijë vendeve pune.
Shkalla e papunësisë (15-64 vjet) u rrit me 0.6 pikë përqindjeje me bazë vjetore në 12.5%, i njëjti nivel si në fillim të vitit 2019. Goditja më e keqe ishte tek të rinjtë, grupmosha 15 deri në 29 vjeç për të cilët shkalla e papunësisë u rrit 1.4 pp në 21.4% . Pavarësisht rritjes së dobët prej 0.4% të pagave publike dhe një rënie të mprehtë të të gjithë indekseve të pagave përveç ndërtimit, pagat mesatare nominale regjistruan 1.7% rritje tremujore në TM2 dhe 2.9% rritje vjetore.
Ashtu si në tremujorin e parë, prodhimi ekonomik u tkurr në të gjithë sektorët në të dytin, përveç aktiviteteve të pasurive të patundshme dhe bujqësisë, kjo e fundit regjistroi në dy tremujorët e parë të vitit 2020 normat më të larta të rritjes së tre viteve të fundit. (Sipas Monitor)
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




