“11 aksidente rrugore në ditë në 2024”, Brataj: 39% më shumë aksidente me biçikleta dhe monopate

Sezoni turistik ka nisur më herët këtë vit dhe fluksi në rritje i turistëve premton një tjetër rekord të ri, por panorama e aksidenteve rrugore nuk duket e mirë që në nisje të tij.
Sipas analizës së bërë për 5 muajt e parë vitit nga Urgjenca Kombëtare Mjekësore, këtë vit janë shënuar mesatarisht 11 aksidente në ditë nga 9 që ishte një vit më parë.
“Më të rrezikshme si aksidente klasifikohen ato me makinë, motor, biçikletë, këmbësorë dhe mjete të rënda. Nga 9 aksidente që kanë qenë në vitin e kaluar, tani kemi 11 aksidente në ditë. Një rritje e lehtë është shënuar edhe në aksidentet me makinë”, tha Brataj.
Ajo që bie në sy është rritja e madhe që kanë pësuar aksidentet me biçikleta dhe monopate.
“Ajo që ra në sy është se nga 149 është rritur në 208 numri i aksidenteve me biçikleta, që përkthehet në 39 përqind më shumë aksidente, ku përfshihen dhe ato me monopatë. Kemi vënë re shumë herë që aksidentet ndodhin si pasojë e moszbatimit të rregullave dhe kalimi edhe në sens të kundërt”, deklaroi Brataj.
Drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj thekson se kjo situatë vjen edhe për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve që hyjnë në Shqipëri gjatë sezonit dhe atyre të regjistruara ndërkohë që numri i vdekjeve deri më tani nuk ka ndryshuar.
Aksidentet rrugore në mbi 15% të rasteve kanë ndodhur edhe si pasojë e sjelljes së këmbësorëve të cilët nuk respektojnë sinjalistikën dhe janë burim aksidentesh në zonat urbane.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




