Mozaiku “Iliria” në Pogradec, përfaqëson historinë 2500 vjeçare ilire në Selcën e Poshtme

Sociale | 2 vite më parë

Piktori i njohur pogradecar Anastas Kostandini ka realizuar në fasadën qendrore të bashkisë së Pogradecit një mozaik të cilin e ka titulluar “Iliria”. Ky mozaik përfaqëson historinë 2500 vjeçare ilire në Selcën e Poshtme, aty ku janë të vendosur varret e mbretërve ilirë dhe ku është gjetur edhe pafta e krijuar tashmë në mozaik.

“Pogradeci është një vend i gjetjeve të mëdha arkeologjike dhe njihet për varret e mbretërve ilir. Pogradeci ka një muze modest ku dominon arkeologjia, është një shenjë treguese e trashëgimisë tonë”, u shpreh Anastas Kostandini, piktor.

Për kryetarin e bashkisë Ilir Xhakolli realizimi i një mozaiku të tillë është një nga veprat që i mungonte qytetit duke i bërë jehonë një prej periudhave më të hershme.

“U munduam të sjellim një pjesë ikone të Pogradecit siç është pafta e Selcës, e gjetur në pjesën e varreve të Selcës me një histori që daton në shek. IV dhe sigurisht që është një simbolik e vyer që ka bashkia e Pogradecit për të treguar historinë në lashtësi që ai ka”, u shpreh Kryetar i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli.

Anastas Kostandini bashkë autorë të tjerë ka qenë pjesë e realizimit të mozaikut në Muzeun Kombëtar në kryeqytet, ndërsa ky është mozaiku i parë që ai realizon për qytetin e Pogradecit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme