Problemet e shikimit te fëmijët, prej shtatorit 615 nxënës me sy dembel dhe strabizëm

3.519 nxënës janë depistuar mbi shikimin dhe 615 prej tyre janë referuar më pas tek mjeku specialist për problemet e hasura.
Programi për kujdesin e shikimit përfshin fëmijët e grupmoshës nga 6 deri në 14 vjeç dhe sipas mjekes okuliste Eva Koça nga rastet e referuara, dy janë problematikat kryesore: syri dembel dhe syri i devijuar, që në gjuhën mjekësore njihet si strabizmi.
“Këto patologji duhen trajtuar dhe kapur sa më herët,” thotë mjekja okuliste.
Nisur nga problemet e hasura tek fëmijët, mjekja këshillon prindërit që të shmangin sa më tepër përdorimin e smartfonëve.
“Mirë është që deri në moshën 10-vjeçare fëmijët të mos e kapin celularin ose mjete të tjera të telekomunikacionit. I udhëzojmë fëmijët të punojnë me orare të kufizuara, gjithmonë ditën dhe të mos përdorin dritën e natës. Kryesore është edhe ushqimi, pasi kemi vënë re pacientë të cilët nuk ushqehen rregullisht ose në mënyrë cilësore, ose nuk përdorin fruta dhe perime, kane defekte të refraksionit,” tregon Dr. Koça.
Programi për kujdesin e shikimit për fëmijët zbatohet tashmë prej tre vitesh.
Në këtë proces janë të angazhuar 12 mjekë që kryejnë depistimin e fëmijëve në shkollat 9-vjeçare.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




