Lufta kundër kanabisit, Demo: Operacionet e përbashkëta me Guardia di Finanza kanë dhënë rezultate konkrete

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, vlerësoi bashkëpunimin me partnerët italianë, duke theksuar se operacionet e përbashkëta janë rritur me mbi 52%. Ai nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar kërkon më shumë koordinim dhe përdorimin e teknologjive të reja.
Gjatë një konference të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza, ku u prezantuan rezultatet e operacioneve kundër kultivimit të lëndëve narkotike, Demo bëri të ditur se vëzhgimi nga ajri ka nisur që në muajin maj, duke e cilësuar bashkëpunimin me palën italiane si të shkëlqyer.
“Ka një besim reciprok institucional për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian evidenton bashkëpunimin. Operacionet e përbashkëta me partnerët janë rritur më shumë se 52 për qind”, u shpreh Demo.
Ai theksoi se rezultatet e këtij bashkëpunimi janë konkretizuar edhe përmes sekuestrimit të pasurive kriminale, ndërsa shtoi se treguesi më i rëndësishëm i suksesit të institucioneve mbetet siguria që ndiejnë qytetarët.
“Lufta kundër krimit është detyrim ndaj qytetarëve, që presin nga ne mbrojtje”, tha Demo.
Ministri nënvizoi gjithashtu nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke argumentuar se grupet kriminale po përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe ndryshojnë vazhdimisht mënyrat e tyre të veprimit.
Sipas tij, përballja me këto fenomene kërkon jo vetëm më shumë koordinim mes institucioneve, por edhe përshtatjen e metodave dhe mjeteve të luftës kundër krimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



