Tropoja bëhet gati për turizmin – Prioritet infrastruktura dhe klima për bizneset me fokus turizmin

Alpet shqiptare në tërësi e veçanërisht Valbona, po kthehen në destinacione të lakmueshme për turizmin elitar. Në këtë kontekst bashkia e Tropojës ka nisur përgatitjeje për të pasur një sezon sa më të mbarë turistik.
Kryetari i Bashkisë Rexh Biberaj tha se turizmi në alpe po kthehet me frekuentim të plotë përgjatë gjithë vitit duke mos e ndarë në turizëm verior apo dimëror, ndaj shpreson që këtë vit numri i turistëve të kaloj 250 mijë.
Biberaj tha se është punuar e po punohet me qeverinë shqiptare me biznesin vendas dhe operatorët për të krijuar klimë të favorshme për thithjen e turistëve. Sipas tij dy problemet akute për luginën e Valbonës, energjia elektrike dhe trajtimi i ujërave të zeza janë vënë në rrugën e zgjidhjes.
Duke qenë vend ndërkufitar me alpet që shtrihen në trekëndëshin Shqipëri, Mal i Zi dhe Kosovë, krye bashkiaku i Tropojës Rexh Biberaj thotë se bashkëpunimi mes komunave ndërkufitare do të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës duke nxitur qeveritë e të tre vendeve për të injektuar fonde të përbashkëta por edhe përmes BE-së në këtë drejtim.
Biberaj tha se bashkia e Tropojës ka në plan te rishikojë edhe buxhetin dhe paketën fiskale për 6 mujorin e dytë të këtij viti me synim lehtësimin e bizneseve që kanë fokus turizmin.
Vitin e kaluar ashtu si në mbarë vendin edhe Tropoja kishte numër të lartë turistësh. Shifrat flasin për më shumë se 200 mijë turistë vendas e të huaj që kanë vizituar Luginën e Valbonës dhe zonat e tjera turistike të alpeve përgjatë vitit 2023.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




