Antibiotikët u përdorën pa kriter, pandemia rriti rezistencën ndaj antibiotikëve edhe te kafshët

Rezistenca ndaj antibiotikeve, një shqetësim tashmë evropian, është një problem kritik edhe për Shqipërinë mjekët infeksionistë thonë se situata paraqitet më alarmante pas pandemisë, madje sipas tyre ato janë përdorur pa kriter edhe tek kafshët.
“Numri i antibiotikëve të cilët janë futur aktualisht në Shqipëri ka pasur një trend jashtëzakonisht të madh rritje sidomos në periudhën e pandemisë, ku mund të jetë sektori i blegtorisë apo i pularive ku antibiotikët përdorën pothuajse në doza të pakontrollueshme për mbarështimin apo rritjen në peshë të shpendëve dhe kafshëve”, tha mjkeu infeksionist Edmond Puca.
Kjo sipas mjekëve paraqet rrezikshmëri të lartë edhe tek njerëzit të cilët siç paralajmërojnë ata do të përballen pas shumë pak vitesh me pasojë të rënda.
“Mbas pak vitesh ne do të jemi shumë më tepër në vështirësi për të trajtuar një mikrob që para disa vitesh mund ta trajtonim shumë lehtë me preparate të gjeneratave të vjetra siç mund të jetë cefalosporina apo ato të gjeneratës së parë e të dytë siç mund të jenë makrolidet apo penicilina”, thotë mjeku Puca.
Mjekët thonë se të dyja palët, si vetë ata ashtu edhe njerëzit duhet të ndryshojnë në këtë drejtim:
“Njerëzit duhet të jenë më të duruar. Nëse kemi një temperaturë që ka filluar , duhet të presim pak, 24-48 orë dhe nuk duhet të ngutemi. Këtë temperaturë mund të menaxhojmë me një paracetamol, më një ibuprofen apo edhe me një preparat tjetër inflamator. Ndërkohe edhe sistemi shëndetësor , d.m.th. ne mjekët duhet të jemi më dorështrënguar në përshkrimin e antibiotikëve” tha Edmond Puca.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




