Dekori për festat e fund vitit edhe këtë vit Korça është gati për të pritur mijëra vizitorë

Korça është kthyer në kryeqendrën e festimeve në periudhën e festave të fund vitit. Të shumtë janë ata që zgjedhin qytetin juglindor për të festuar Krishtlindjen dhe vitin e ri, për atmosferën e bukur që krijohet në qytet.
Qyteti i festave do të jetë edhe më i bukur këtë fund vit me dekorin festiv që është duke u vendosur. Prej disa javësh punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve publike kanë nisur punën për vendosjen e zbukurimeve për t’i dhënë Korçës një atmosferë festive.
Risi për dekorin e këtij fund viti do të jetë vendosja e një bredhi të ri me përmasa akoma më të mëdha se ai i vitit që shkoi. Bëhet fjalë për një strukturë metalike me një bazament me diametër 10 metra dhe lartësi 16 metra. Ndërkohë që nuk do të mungojë edhe këndi i lojërave për fëmijët, që do të gjallërojë qendrën e qytetit. Një tjetër risi për këtë fund vit është edhe ndriçimi i gjithë fasadës të godinës së bashkisë Korçë, teksa globi i ndriçuar me drita kësaj here është pozicionuar tek sheshi para teatrit.
Nuk do të mungojnë zbukurimet dhe dritat edhe tek Pazari i Vjetër i cili këtë vit vjen me një dekor ndryshe, e po ashtu edhe zbukurimet e shumta në rrugët kryesore e sheshet e gjithë qytetit. Ndërkohë që një kalendar i pasur me aktivitete artistike e kulturore do të zhvillohen gjatë muajit dhjetor.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




