Alimehmeti: Kanë rënë rastet me COVID. Mjekja: Periudha ideale për t’u vaksinuar kundër gripit

Sociale | 3 vite më parë

Virusi COVID vijon të qarkullojë në popullatë, por megjithatë rastet e infeksionit kanë rënë. Kështu deklaroi mjeku Ilir Alimehmeti në emisionin “Mirmëngjesi Shqipëri, teksa theksoi se situata, edhe në spitale, është shumë më e qetë.

“COVID ka rënë, nuk kemi situatën e viteve të kaluara. Vijon të ketë raste COVID është thënë që nuk është një virus që do të zhduket dhe do vijojë të qarkullojë. Por nuk kemi më ngarkesën në spitale, rastet e rënda dhe kjo na sjellë shkalën e alertit shumë të ulët”, u shpreh mjeku.

Për ta diferencuar nëse është gripi i stinës apo COVID, Alimehmeti u shpreh se nevojiten testet e shpejta, që në farmaci mungojnë. Ai theksoi se testet e shpejta nevojiten për të mbrojtur personat e brishtë, pasi nuk është më problemi i popullatës.

“Për të dalluar nëse është grip apo COVID nevojitet testi i shpejtë, sepse simptomat janë të njëjta. Dhe kjo është e rëndësishme, sot në farmaci nuk ka teste të shpejta. Kjo është një nga metodat për të mbrojtur personat e brishtë, sepse nuk është më problemi i popullatës”, deklaroi mjeku.

Drejtoresha e qendrës shëndetësore nr.3, Bruna Shiroka bëri thirrje për t’u vaksinuar për gripin stinor. Ajo theksoi se kjo është periudha më e mirë për t’u vaksinuar, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet që mund të rezultojnë të rrezikshme për shëndetin.

“Prej vitesh ne operojmë me vaksinën e gripit stinor që prej tetorit. Kemi një kategorizim të pacientëve që kemi ofruar për të marrë vaksinën duke filluar nga të sëmurët kronikë, të moshuarit, personeli që punon në qendra shëndetësore. Jemi ende në proces aplikimi. Ndoshta gripi nuk ka nisur akoma në popullatë. Është mirë që të vaksinohemi në këtë periudhë për të krijuar imunitet dhe për të siguruar mundësinë, jo për t’u infektuar, por për të shmangur shfaqjen e komplikacioneve”, u shpreh mjekja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme