Goditjet në tru shtohen me 30%, mes të shtruarve ka mosha shumë të reja

Sociale | 3 vite më parë

Stroku ose goditjet në tru janë sëmundjet me numrin më të lartë të shtrimeve në neurologji.

Sipas mjekëve, ishemitë apo hemorragjitë vaskulare janë 30% më shumë se 5 vite më parë në QSUT.

“Numri i rasteve me strok është mjaft i lartë. Nëpër spitalet tona bëhen mbi 5–6 shtrime pacientësh në ditë,” neurologia Entela Basha.

Patologjitë e zemrës apo dëmtimi i enëve të gjakut janë shkak për goditjet në tru.

Si bllokimi i enëve të gjakut ashtu edhe çarja e tyre po prekin mosha shumë të reja për disa shkaqe.

“Sigurisht që është ulur mosha. Tani ne kemi pacientë me aksidente vaskulare-cerebrale edhe të moshës 35–45 vjeç. Cilësia jo e mirë e jetesës, ushqyerja jo e mirë, jeta sedentare, stresi dhe ngarkesa ndikojnë te enët e gjakut,” shpjegon neurologia Basha.

Problem është shkalla e lartë e invalidizimit, e cila varion në bazë të territorit të dëmtuar në tru.

“Ka territore në tru që janë përgjegjëse për të folurin, për lëvizjen e dorës, këmbës, shikimit, ekuilibrit. Kështu që nëse territori i goditur është përgjegjëse për një nga shenjat më sipër, shkalla e rikuperimit mund të shkojë tre deri gjashtë muaj, ndonjëherë edhe të mbetet përgjithmonë,” thekson neurologia.

Shenja si mpirja e dorës, krahut, këmbës, probleme me shikimin, ekuilibrin apo dhimbje koke që nisin menjëherë duhet me urgjencë t’i referojmë në spital, pasi sot brenda 3 orëve të para ka alternativa trajtimi që ulin vdekshmërinë dhe shkallën e invaliditetit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme