Nisi sot viti i ri akademik 2023-2024 në të gjithë vendin

Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër ka pritur për herë të parë 372 studentë, shifër kjo 30 % më e lartë se një vit më parë. Ky vit akademik e gjen këtë institucion arsimor edhe me 4 programe të reja në të tria ciklet e studimit, ndërkohë që asnjë degë nuk ka rrezikuar të mbyllet.
Në universitetin “Fan Stiljan Noli” në Korçë programet e preferuara edhe për këtë vit janë Infermieria, Informatika, Edukimi Fizik, si dhe programet e Fakultetit të Bujqësisë dhe atij të Ekonomisë. Dy programet e “Filozofi Sociologjisë” dhe “Ekonomikë” të cilat nuk kanë asnjë student të regjistruar do të pezullohen.
Në Universitetin e Shkodrës 10 programe studime rrezikojnë të mos nisin vitin e ri akademik për shkak të numrit shumë të vogël të studentëve. Nga 0 deri ne 6 regjistrime ka në degët e studimeve në frëngjisht, histori, fizikë, gjeografi, gazetari, biologji-kimi etj.
Në universitetin e Elbasanit 15 programe rrezikojnë të mos hapen këtë vit të ri akademik. Janë programe që nuk konsiderohen të mbyllura por nuk hapen vitet e para, pasi me ligj që një program të mbyllet duhet të ketë 0 studentë në të tre vitet e tij.
Në Durrës interesi i maturantëve ka qenë më i lartë në degët teknike mjekësore, si infermieri e përgjithshme, mami, programet studimore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe shkenca kompjuterike.
Edhe në Vlorë pavarësisht mbarëvajtjes së procesit në aspektin profesional problemi më i madh është rënia e ndjeshme e numrit të studentëve në auditorë. Fakulteti i Shkencave Humane ka qenë një nga pikat më të rrezikuara për mbyllje të degëve.
Gazetare M. Mëhilli
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




