COVID apo alergji? Kanë shenja të ngjashme, mjekët këshillojnë testin

Simptomat më të zakonshme të COVID-19 që po qarkullon aktualisht në vendin tonë e më gjerë, janë bërë aq të buta sa që është bërë më e vështirë të dallosh sëmundjen “COVID” nga alergjitë apo ftohja e zakonshme.
Sipas mjekëve kjo mendësi mbizotëron më shumë në popullatë pasi ata kanë të gjithë mekanizmat e duhur për të vendosur diagnozën diferenciale.
“Kemi disa simptoma të përbashkëta, pra kemi hundë të zëna, sekrecionet nazale si dhe kolla që mund të jenë prezente në të dyja rastet. Në rastet e rrufave të alergjisë, simptomat që janë të theksuar janë të kruajturat e hundës, veshëve, syve apo dhe qellzës, të cilat në rastet me Covid, janë simptoma më të rralla”, tha Kleita Elezi, alergologe tek Poliklinika e specialiteve Nr.3.
Mjekja alergologe Kleita Elezi thotë për RTSH se “ngjashmëria e disa simptomave të Covid me alergjitë nuk ka pse sjell ngatërresa në diagnozë për sa kohë mjeku bën anamnezën dhe përdor edhe testin”.
Infeksioni nga nënvariantet në qarkullim shoqërohet me rrjedhje hundësh, teshtima, kollë e thatë, dhimbje fyti dhe ngarkesë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes ndërkohë që humbja e shijes dhe nuhatjes tashmë quhet shenjë e kaluar.
Pavarësisht dyshimeve alergji , covid apo virozë, mjekët thonë se çdokush duhet të izolohet dhe të kërkojë ndihmë nëse rëndohet.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




