Përgatitjet për shkollat, Veliaj thirrje prindërve të shmangin makinat në ditën e parë

Sociale | 3 vite më parë

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një tur për të parë nga afër ecurinë e përgatitjeve në çdo shkollë të kryeqytetit.

Nga gjimnazi “Ismail Qemali”, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që dita e hënë të kalojë sa më mbarë.

“Mirëmbajtja duhet të jetë e vazhdueshme, po ashtu edhe higjiena. Kjo është një shkollë, të cilën e kemi rikonstruktuar plotësisht. Falenderoj drejtoreshën, stafin, administratorin e shkollës, që kujdesen që të ketë sa më pak amortizim. Kur në një shkollë mësojnë 1500 çuna e goca me një energji të  jashtëzakonshme, mund të përplaset ndonjë derë, e të prishet ndonjë bravë, por më vjen mirë që sjellja e nxënësve të “Ismail Qemalit” është shembullore” tha zoti Veliaj.

Kryetari i Bashkisë theksoi faktin se ndihet i lumtur që prindërit i kanë regjistruar fëmijët e tyre në shkollat pranë  banesës së tyre, pasi kanë kuptuar se të gjitha shkollat e qytetit janë me kushte moderne dhe cilësi mësimore të njëjtë, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Por, Veliaj kërkoi nga prindërit që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre për në shkollë në këmbë dhe jo me makinë, për të shmangur trafikun që mund të krijohet.

“Dua ndihmën e prindërve sepse në ditën e parë të shkollës s’kemi pse t’i çojmë fëmijët me makinë. Moti është i mirë, rrugën e bën për 15 minuta në këmbë. Fakti që janë regjistruar vetëm fëmijët e rrugëve përreth, do të thotë që shkolla nuk është më larg se 500-600 metra. Atë 10-15 minutësh mund të ecësh me fëmijën, ta sjellësh në shkollë duke i bërë një bisedë për ta inkurajuar, për ta uruar në ditën e parë të shkollës. S’keni pse ta mbyllni në një ‘burg’ prej metali e të rrini në trafik. Imagjinoni sikur për 170 mijë nxënës që ka Tirana, të dalin të gjithë me 170 mijë makina, ne do shkojmë në një kolaps total. Sikur në vend që të dalim me 170 mijë makina, të dalim me 170 mijë përqafime të prindërve e fëmijëve, ky do ishte vërtet një kontribut për qytetin”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme