Veliaj: Mbi 980 ndërhyrje për lirimin e zonave të ndryshme nga ndërtimet informale

Kryetari I Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka folur për informalitetin në kryeqytet dhe trajtimin e denoncimeve lidhur më ndërtimet pa leje apo zaptimin e hapësirave publike.
Në video-mesazhin e javës, Veliaj tha së është ndërhyrë për të liruar hapësirat publike, por edhe për t’i dhënë përgjigje informalitetit.
“Deri sot janë kryer mbi 980 ndërhyrje për lirimin e zonave të ndryshme nga ndërtimet informale dhe 950 ndërhyrje për t’i hapur udhën projekteve, rrugës te Astiri apo një shkolle, kopshti, çerdhe, apo ndërtimeve të infrastrukturës së tërmetit te lagjja “5 Maji”, apo në zonat ikonike të qytetit, siç ka qenë çlirimi i sheshit Skënderbej, i Pazarit, i Kalasë, i Liqenit të Tiranës. Informaliteti i ndërtimit është ulur me 95% dhe kjo falë, jo vetëm reagimit të menjëhershëm të Inspektoriatit të Ndërtimit, por edhe asaj të qytetarëve, të cilët njoftojnë në kohë reale sapo dikush vendos gabimisht një tullë, apo bën një ndërhyrje edhe duke përdorur aplikacione si Tirana Ime,” tha Veliaj.
Edhe pse pranon se ka ende punë për të bërë, Veliaj thotë se tregues i përmirësimit të gjendjes është numri i problematikave të trajtuara.
Sipas Veliajt, në vitet 2011-2014 Policia Bashkiake merrte mesatarisht 4,600 raportime, ndërsa nga 2019-2022 ka marrë 117,000 raportime dhe ka adresuar 25 herë më shumë çështje dhe problematika të qytetarëve.
“Sigurisht, nuk jemi ende në ambicien tonë më të lartë, por kemi arritur të shmangim ndërtimet e zaptimet e paligjshme, që nga rrugët kryesore e deri në brendësi të lagjeve nëpër cepa pallatesh. Ato që ndodhën në vitet ‘90 sot nuk ndodhin më dhe kemi rikthyer shumë hapësira publike tek banorët dhe këmbësorët e qytetit,” shtoi ai.
Veliaj tha se Bashkia do te vijoj me reformat duke patur si qellim rritjen e kapaciteteve, si dhe me modernizimin e shërbimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




