Jetesa në kushte të vështira, çifti i bashkëshortëve me aftësi të kufizuara apelojnë për ndihmë

Të sëmurë, me aftësi të kufizuara, të ardhura të pakta dhe me një shtëpi që vetëm e tillë nuk mund të quhet. Kjo është jeta e vështirë të një çifti bashkëshortësh nga Karavastaja e Divjakës, teksa Bashkia e qytetit ka vendosur të ndërhyjë për rikonstruksion të pjesshëm.
Artur Prifti dhe Marjeta Meço janë me aftësi të kufizuara dhe jetojnë në kushte të vështira strehimi. Shtëpia ku ata jetojnë është ndërtuar në vitin 1971, ku nuk është ndërhyrë asnjëherë dhe është drejt rrënimit total të saj.
Mure të çara, tavan të hapur, e mbuluar me kallamishte, ku era dhe shiu futen nga të gjitha drejtimet, në vend të dyerve ka batanije dhe në vend të dritareve ka plasmase, ndërsa krevati bashkëshortor në vend të këmbëve ka tulla. Kjo është pamja me të cilën çifti përballet çdo ditë.
Të ardhurat e tyre janë 22 mijë lekë së bashku marrë nga statusi i invaliditetit. Djali i vetëm i ciftit ka emigruar këtë vit, ndërsa bashkë me ta jeton nëna e Arturit, Jorgjie Prifti. 85-vjeçarja na tregon se kushtet e shtëpisë janë të mjerueshme dhe e rëndojnë shumë gjëndjen e tyre shëndetësore.
Bashkia Divjake është njohur me situatën dhe ka vendosur që të bëjë rikonstruksionin e pjesshëm të banesës. Sipas specialistes së zyrës urbanistike në këtë bashki, të ardhurat janë të pakta ndaj bëhet thirrje edhe për kontribute nga të tjerët.
Çifti me aftësi të kufizuara ka nevojë edhe për ushqime e veshmbathje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




