Kushi : Përpjekje të jashtëzakonshme për ta rritur cilësinë në arsimin e lartë!

Sociale | 5 vite më parë

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka deklaruar se qeveria shqiptare po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme me universitetet në vend, për ta rritur cilësinë në arsimin e lartë. Duke folur në një takim falënderimi me një pjesë të maturantëve me rezultatet më të mira në maturën shtetërore të këtij viti, zonja Kushi tha se vitet e fundit është ndërmarrë një reformë e madhe në arsimin e lartë, por akoma ka shumë punë për të bërë. 

“Konkretisht, ne po punojmë për të hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, që diplomat tuaja të kenë të njëjtën vlerë si diplomat e bashkëmoshatarëve tuaj në vendet e tjera të Evropës” u tha zonja Kushi maturantëve shëmbullorë. 

“Kjo është sfida jonë më e madhe, pra që të kemi universitete prestigjoze, të kemi diploma që kanë vlerë. Për studentët tanë nuk është nevoja të shkojnë jashtë Shqipërie, kur të njëjtën diplomë mund ta marrin edhe këtu në Shqipëri, madje me kosto më të ulëta. Së shpejti, MASR do të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Stambollit (ITÜ), dhe shumë shpejt do të ketë një filial në Shqipëri për programe që lidhen me Informatikën dhe Inxhinierinë”, u shpreh ajo.

Ministrja Kushi tha se në institucione të ndryshme ka shumë të rinj e të reja me rezultate të shkëlqyera që kanë filluar punë dhe po japin një kontribut shumë të rëndësishëm në institucione. Jo vetëm studentët ekselentë që punësohen nëpërmjet platformës “Punë të Mbarë”, por edhe të diplomuarit e tjerë kanë mundësi punësimi. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës është një mundësi që u jepet të rinjve të sapo diplomuar për tre muaj praktikë në një institucion, organizatë apo biznes, dhe me pas atyre me performancën më të mirë u lidhet një kontratë 1-vjeçare pune.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme