“Festa e qershive”, në Beratit, ekspozohen varietete të ndryshme të qershive në Pedonalen e qytetit

Sociale | 5 vite më parë

Bashkia e Beratit ka gjetur një mënyrë ndryshe dhe tepër origjinale këtë vit për të promovuar turizmin në qytet, Festën e Qershisë, e cila përkoi edhe me çeljen e sezonit turistik në Qarkun e Beratit.
Për dy netë me radhë, qindra qytetarë beratas kanë marrë pjesë në Panairin e organizuar me rastin e kremtimit të kësaj Feste. Shumë fermerë, të ndara sipas zonave, ekspozuan varietetet e ndryshme të qershive, përgjatë Pedonales së qytetit, liko dhe reçelëra të shumëllojshme, gatime tradicionale, mjaltë etj.
Atmosfera e Festës së Qershisë është shoqëruar edhe me këngë e valle, duke sjellë hare në të gjithë qytetin. Kanë qënë këngëtarët e njohur Kozma Dushi, Liljana Kondakçi, Floresha Debinja, që për dy netë me radhë, me zërin e tyre të brilant, e kanë bërë këtë festë edhe më madhështore, ndërkohë që nuk munguan këngët e vallet tradicionale, të cilat u performuan nga fëmijë dhe të rritur në pedonalen e qytetit. 
Festa e Qershisë,e vendosur nga Bashkia e qytetit në kalendarin e festave të përvitshme, synon promovimin e resurseve të qytetit të Beratit dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve vendas dhe të huaj.
Me më shumë se 248 hektarë me pemë qershie dhe me një prodhim mesatar vjetor rreth 1900 ton qershi, Berati mbart një peshë të rëndësishme në prodhimin e qershisë në vendin tonë dhe është mjaft i njohur për prodhimin e disa varieteteve me cilësi shumë të lartë të këtij fruti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme