Nis sot regjistrimi i fëmijëve në çerdhe e kopshte

Duke filluar nga sot e deri në datën 11 qershor në çdo çerdhe publike të Bashkisë Tiranë, do të kryhet procedura e aplikimit për regjistrimin e fëmijëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve bëri sot me dije se fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2020-2021 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 Shtator 2021, do të regjistrohen automatikisht në kopsht.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve informoi se “për fëmijët që kanë statusin e jetimit nevojitet libreza e këtij statusi, certifikatë personale dhe familjare”.
“Për fëmijët me aftësi të kufizuara apo sëmundje të rënda kërkohet raporti mjeko-ligjor si dhe certifikatat personale dhe familjare. Të njëjtat dokumente janë të nevojshme edhe në rastet kur kujdestari ligjor i fëmijës është më aftësi të kufizuara mendore apo fizike. Për fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike përpos certifikatave duhet edhe vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndërsa për kategoritë e tjera, bëhet e ditur se kërkohet vërtetim me pagë mujore të pasqyruar të prindërve si dhe vërtetim për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, dokument ky që sigurohet në portalin e-Albania.
Dokumentacioni i dorëzuar do të shqyrtohet përgjatë një jave nga stafi drejtues i çerdheve, ndërkohë që prioritet do të kenë fëmijët që i kanë të dy prindërit në marrëdhënie pune si dhe ata që vijnë nga familje me probleme ekonomike apo sociale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




